Të gjithë në provë

Të gjithë në provë. Nuk është një frazë banale, por slogani që trajneri i Interit, Roberto Mançini, ka në mendje për t’i dhënë një konfigurim më të qartë organikës së Interit sezonin e ardhshëm. Për t’iu dhënë dy shembuj: Jovetiç po bën një paraqitje të shkëlqyer në fund të sezonit, ndërsa Ljajiç është zhdukur nga “radari”.
Me përjashtim të ndonjë të papriture në orët e ardhshme, më datë 7 maj, në përfundim të sfidës në shtëpi kundër Empolit, është në program që të zhvillohet një mbledhje e madhe, e cila do të shërbejë për të analizuar punën e bërë gjatë sezonit dhe piketat e para që do të hidhen për ndërtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm. Në Milano do të zbarkojë presidenti Erik Tohir, i cili do të qëndrojë për disa ditë. Indoneziani do të diskutojë me Mançinin dhe Auzilion për strategjinë e merkatos, teksa gjatë qëndrimit në Itali, Tohir do të takohet edhe me drejtuesit e Milanit për të folur mbi restaurimin e stadiumit “San Siro”, impianti ku do të luhet edhe finalja e Ligës së Kampioneve.
Mirëpo, për të investuar para në afrimin e futbollistëve në merkato, Interit i duhet të sakrifikojë një prej lojtarëve “big” që ka më shumë kërkesa jashtë territorit italian. Për momentin është Ivan Perisiç futbollisti që duket se do të jetë i sakrifikuari i Interit në fund të sezonit.
Sulmuesi kroat pëlqehet nga Çelsi, që flitet se është gati të investojë në merkato 25 milionë euro. Sakaq, edhe anglezët e Evertonit janë vënë në “gjurmët” e lojtarit, duke i ofruar Interit 30 milionë euro për shërbimet e kroatit. Lidhur me këtë tratativë, fjala e fundit i takon trajnerit zikaltër, Roberto Mançini, i cili vetëm një sezon më parë e kërkoi me ngulm afrimin e Perisiçit nga Volfsburgu. Sakaq, ofertat nuk mungojnë as për Mauro Ikardin, i cili ndiqet me shumë interes nga Atletiko e Madridit, ndërsa në listën e të “rrezikuarve” për t’u larguar është edhe mbrojtësi Murijo, për të cilin së fundmi u interesua Reali i Madridit. Duke qëndruar në temën e merkatos, Roberto Mançini, vetëm dy ditë më parë, gjatë një interviste për mediat italiane, tha: “Do të shohim ç’do të ndodhë. Sa për Jaja Turen, po flasim për një lojtar të Mançester Sitit. Nuk besoj se do të jetë e lehtë të operohet në merkato. Do të shohim se çfarë mundësish do të na shfaqen”.
Një tjetër lojtar që nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij në organikën e Interit është Adem Ljajiç. Futbollisti serb këtë sezon numëron 26 ndeshje dhe vetëm 3 gola me Mançinin në stol. Gjithsesi, Ljajiç konsiderohet një futbollist funksional për të ardhmen, mirëpo Interi i ka vënë kusht Romës që të ulë pretendimet e saj ekonomike nga 15 milionë euro në 8 milionë për të ushtruar të drejtën e blerjes së kartonit, i cili është në pronësi të verdhekuqve.