Skema e Tahirit për lirimin më 17 maj të Frrokut në Holandë

Në rast se ish-Kryeministri Berisha nuk do të denonconte arrestimin në Holandë të Arben Frrokut dhe makinacionin e Ministrisë së Brendshme, atëherë vrasësi i komisar Lamajt do të lirohej më 17 maj. Autoritetet holandeze kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare dosjen e të dhënave të Arben Frrokut të arrestuar që më 6 mars. Nga ajo datë dhe deri ditën e denoncimit që bëri ish-Kryeministri Berisha, policia shqiptare kishte heshtur. Arsyeja e kësaj zvarritjeje nga ana e Tahirit ishte e thjeshtë. Ai kërkonte që të lirohej vrasësi Frroku dhe për këtë i duhej që ta vononte përgjigjen për autoritetet holandeze deri më 17 maj, kohë kur përfundonte edhe koha e paraburgimit në Holandë të Frrokut.
Gjithçka ka shkuar sipas planit të Tahirit, deri në momentin kur ish-Kryeministri Berisha e ka denoncuar këtë skandal kriminal të Ramës dhe Tahirit.

Pse u vonua arrestimi

Arrestimi i Arben Frrokut nga autoritetet holandeze është vonuar për shkak të një problemi me shenjat e gishtërinjve të hedhura në faqen e Interpolit nga policia shqiptare. Autoritetet në Amsterdam kanë gjetur përputhshmëri në foton, gjeneralitetet e gjithçka tjetër, por jo tek shenjat e gishtërinjve. Policia tha dje, se ditët e fundit ka patur disa komunikime me autoritetet holandeze, por vetëm dje u konfirmua arrestimi.
Problemet me shenjat e gishtërinjve të të shumëkërkuarit, Arben Frroku të hedhura në faqen e Interpolit nga Ministria jonë e Brendshme ka qenë shkaku i vonesës së arrestimit të tij nga policia holandeze.
Mësohet se policia holandeze nuk ka mundur të verifikojë menjëherë shkencërisht se personi i arrestuar ishte Arben Frroku, pasi nuk hapej sistemi ku ruheshin të dhënat e këtij personi të shpallur në kërkim, mes te cilave gjurmët e gishtave për të bërë krahasimin.
Burimet bëjnë me dije se të dhënat për Frrokun jepnin problem dhe nuk hapeshin dhe kjo ka bërë që policia holandeze t’i kërkonte të dhëna të reja policisë shqiptare, por edhe asaj greke, për shkak se personi që kishin ndaluar mbante pasaportë greke, por i lindur në Korçë.

Reagimi i Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut, i arrestuar në Holandë.
Zyra e shtypit pranë kryeprokurorit Adriatik Llalla konfirmoi faktin se prokurorët e Krimeve të Rënda e kanë dorëzuar tashmë dosjen e plotë të Arben Frrokut në ministri, së bashku me shkresën përcjellëse ku kërkohet ekstradimi i tij në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve, në dosjen e kërkesës për ekstradim, Prokuroria ka renditur krahas gjurmëve të gishtave, fotove të reja edhe vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët e dënuan me burgim të përjetshëm. Një kopje e këtyre materialeve, thonë burimet i është dërguar edhe zyrës qendrore të Interpolit.
Nga ana tjetër, burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë i thanë “ABC News” se kjo dosje, pasi është administruar nga zyra e marrëdhënieve me jashtë dhe ekstradimeve, brenda javës që vjen do të përkthehet i gjithi dhe më pas do t’i niset autoriteteve të drejtësisë holandeze, duke kërkuar ekstradimin e Frrokut. Këto burime sqaruan se shteti shqiptar nuk ka marrëveshje reciproke me shtetin holandez për ekastradimin. Për këtë fakt, kërkesa për ekstradim bazohet në Konventën Ndërkombëtare të Ekstradimeve që si shteti shqiptar ashtu edhe holandez e ka të ratifikuar.
Burimet thonë se brenda një afati të përcaktuar nga legjislacioni holandez, shtetasi Arben Frroku do të dalë para një gjykate në Amsterdam ku do t’i komunikohet kërkesa e palës shqiptare për ekstradimin e tij. Pritet që të zhvillohet një proces gjyqësor, ku Prokuroria holandeze që përfaqëson shtetin shqiptar të kërkojë ekstradimin e tij dhe i arrestuari Arben Frroku të shprehë qëndrimin e tij, pro ose kundër ekstradimit.
Arben Frroku është arrestuar pak ditë më parë në Holandë me pasaportë të falsifikuar greke me emrin Renato Tsepa. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e shkurtit të 2012, ku u ekzekutua me kallashnikov komisar Dritan Lamaj. Për të provuar vrasjen e kryer nga Frroku, Prokuroria kishte siguruar një dëshmitar të mbrojtur fjalët e të cilit nuk u morën parasysh nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që e shpalli të pafajshëm Frrokun. Pas këtij vendimi, ai arriti të largohet nga Shqipëria pa u regjistruar në sistemin TIMS. Vetëm pak ditë pas largimit të tij, Gjykata e Apelit për krime të rënda prishi vendimin e Shkallës së Parë dhe e deklaroi fajtor Frrokun për vrasjen e komisarit, duke dënuar me burg të përjetshëm.