Ballina Kryesore Si ndan OSHEE tenderat miliarda lekë për klientët dhe bandën

Si ndan OSHEE tenderat miliarda lekë për klientët dhe bandën

OSHEE është shndërruar në një hambar tenderash për klientët dhe bandën pranë qeverisë. Janë me dhjetëra tendera, të pajustifikuara si për shërbimin ashtu edhe për kostot marramendëse që u janë dhënë dhe vijojnë t’u jepen klientëve të qeverisë.
Vetëm në 3 muajt e parë të vitit OSHEE ka tenderuar 23 miliardë lekë pa asnjë eficencë e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 milionë dollarë. OSHEE mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla. Janë këto mbifaturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar në trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike i bëri thirrje OSHEE të bëjë transparencën mbi tenderin për vendosjen e matësave, ku për një shërbim që kushton 1 miliard lekë, OSHEE ka akorduar 7 miliardë lekë, pra 6 miliardë lekë shkojnë në xhepin e klientit të qeverisë pa kryer asnjë shërbim.
“OSHEE thesari i madh i parave që Edi Rama ndan me miqtë e tij nuk ndalet në tenderimin pa shpallje, me negocim, me një operator të vetëm në garë, duke dhënë në çdo rast pothuajse fondin limit. Dje ne denoncuam skandalin e vendosjes së 50 mijë matësve me 7 miliardë lekë, ndërkohë që kostoja sipas tregut është vetëm 1 miliard. OSHEE nuk u përgjigj se ku kanë shkuar 6 miliardë, por zgjodhi të sulmojë opozitën. Po paraqesim sot disa raste të tjera, se çfarë bën kjo bandë e Edi Ramës, me paratë që u merren shqiptarëve me dhunë, me burg, me mbifaturim e me ndëshkim me errësirë”, tha Zhupa. Ajo bëri të ditur se 60 mijë euro OSHEE ia ka dhënë një koncesionari makinash, “Tirana Auto”, për këtë vit. “I duhen bandës makina luksi për të marrë dhe qindarkën e fundit të shqiptarëve. Ndërkohë që po tek ky operator ka marrë dhe vitin që shkoi makina me qira, 68 milionë lekë.
Vazhdon trajnimi i punonjësve, ku 670 milionë lekë i jepen të vetmit operator në garë, për 6 muaj punë. Mbi 100 milionë lekë në muaj, për trajnim, për letra”. Zhupa demonstroi para mediave dokumentin, i cili dëshmon se vetëm për evente e aktivitete OSHEE ka shpenzuar milionë para për kompaninë e lidhur me Erion Veliajn.  “Ja ku keni dokumentin. Ka evente OSHEE, meqë çmimi i energjisë është rritur për qytetarët, meqë familjet mbifaturohen, meqë përfundojnë në errësirë kur një pjesë e mirë s’kanë mundësi të paguajnë. 66 milionë lekë në vit për këto ahengje të OSHEE merr Prosaundi i famshëm i fushatës së partisë dhe i festave të Veliajt. Këto pra janë disa nga bëmat e OSHEE-së, e bandës hajdute që Edi Rama ka vërsulur kundër popullit, për të marrë miliardat që i duhen oligarkisë. Shpejt do të vijë koha që populli t’u kthejë reston e banda e OSHEE me kryehajdutin e saj në krye të japin llogari para ligjit”, u shpreh Zhupa.

Exit mobile version