Pse na duhet përballja!?

Frrok ÇUPI

Këta nuk dinë ç’thonë. As çfarë bëjnë! Kanë ngritur rè të mëdha (Majakovski, poet i revolucionit socialist, këtë lloj reje e quante “ré në pantallona”); kanë ngritur ré kundër ish-kryeministrit të Republikës pse tha se vendit i duhet “përballje kundër krimit”! Ai foli si deputet i Kuvendit dhe idenë e formuloi kështu: Të bëjmë ligj për të armatosur popullin!.. Mirëpo këta mbrojtjen nga krimi e cilësuan si çështje kriminale.
Këta nuk dinë ç’bëjnë… Këta përballen orë e çast me popullin e pambrojtur dhe njëkohësisht duan të thonë se “populli kryen krim po u përball”. Këta e kanë çuar të keqen në kockën e njeriut, por i thonë njeriut “mo luaj!”. Kjo është qeveri “one way”, dmth., vetëm urdhëron qeveria popullin, por jo populli qeverinë.
As e dinë çfarë bëjnë, as e dinë nga vijnë. Këta vijnë nga origjinë që në thelb ka përballjen, ka “populli më këmbë”, “gjithë populli ushtar”, dmth i armatosur!…, por tani nuk e pranojnë përballjen. Një nga filmat që diktatori komunist e çmonte pa asnjë vërejtje, ishte filmi i tyre “Përballimi”.
Këta tani ngrejnë ré tymi kundër përballjes.
Pse na duhet përballja?
1.
Na duhet sepse kemi humbur qeverinë.
Qysh se lindi qeveria e “Rilindjes”, lindi si e dyshimtë. U paraqit si socialiste, garantoi si reformatore në koalicion me aleatin e demokratëve, por në fakt u ndërtua as ashtu e as kështu, veç si përfaqësuese e një pakice fluide që u quajt “Rilindje”. Të parët, socialistët, nisën të kërkojnë qeverinë e tyre. Pastaj u bashkuan edhe pjesët e tjera të shoqërisë. Qeveria që u votua nuk dukej gjëkundi, domethënë programi i qeverisë për të qeverisur popullin, u fsheh. Premtimet me të cilat Parti mori votat, nuk ishte dhe nuk është më. Në këtë rast, besoj se nuk është më e nevojshme të përmenden çfarë dështoi, çfarë u fsheh, e çfarë ndryshoi krejtësisht. Asgjë nuk u duk nga programi, veç e kundërta e tij.
Atëherë, populli ka të “drejtën e Zotit” që të dalë në kërkim të qeverisë. Të dalë dhe të kërkojë përballje me qeverinë. Fillimisht përballje do të thotë që populli i dukshëm dhe qeveria e fshehur të shihen sy më sy, t’i thonë njëri-tjetrit “Cili jam unë e cili je ti”. Aty le të vendosë populli nëse e pranon qeverinë; sepse qeveria nuk ka asnjë shans që të shtrojë çështjen për të mos pranuar popullin. Në përballje ka veç një fitimtar.
2.
Është koha për përballje.
Jo më kot mijëra njerëz, mes tyre popull i thjeshtë dhe pastaj politikanë, analistë, mendimtarë, etj., po përkrahim mendimin e Sali Berishës, kryeministër i Republikës deri në shtator 2013, se populli duhet të marrë në dorë të drejtën e vet për përballje. Kjo mund të bëhet sa kohë që populli mund të qëndrojë më këmbë. Se po u gjunjëzua populli, atëherë flasim për post mortum. Populli ynë është gjunjëzuar për gati gjysmë shekulli. Nuk po them se tani do të kthehet diktatura komuniste, por gjunjëzimi po vjen ndryshe. Po vjen, sipas analistëve dhe mendimtarëve perëndimorë, si korrupsion, si një mafie e re komuniste. Kësaj here populli mund të gjunjëzohet nga dy faktorë shumë njerëzorë: Nga uria dhe nga sëmundja! Uria ka kapluar mijëra e mijëra. 400 mijë familje jetojnë në varfëri ekstreme, me dy a tre dollarë në ditë për familje. Të tjerë janë të paregjistruar, por mund të jenë edhe pa dy dollarë. Deflacioni, që është gjendja ekonomike “rrasë për rrasë”, (dmth., nuk ke çfarë blen e nuk ke me çfarë blen), ka trokitur. Rreth 35 për qind e të rinjve janë pa punë. Në emigracionin e madh që ka përfshirë shtetet në luftë, Shqipëria renditet mes vendeve të para… Po të pritet më tej për përballjen, atëherë njerëzit nuk ngrihen dot më në gjunjë për shkak të urisë.
Pastaj edhe për shkak të sëmundjeve. Qeveria rrëmbeu fondet e kujdesit shëndetësor dhe i ktheu në Bono Thesari. Me çfarë do të blihen ilaçet? Po vijnë sëmundjet. Qeveria ka në plan që ta akuzojë popullin e vet si të infektuar nga sëmundjet venale. Nesër populli mund të deklarohet tërësisht i sëmurë mendor, nga sifilizi, nga marrëzia ose nga lebra, etj. Atëherë qeveria nuk mban më përgjegjësi; askush nuk ka përgjegjësi përballë sëmundjes venale… Po të mos përballet populli sa kohë nuk ka ndodhur sëmundja totale venale, atëherë kurrë më nuk mund të përballet. Populli kërkon zgjidhje, dmth., përballje me qeverinë sa kohë është në gjendje që ta bëjë këtë.
3.
Tani është momenti i përballjes, prandaj edhe zuri vend kërkesa e kryeministrit të Republikës (2005-2013) për t’u përballur me qeverinë. Sepse sapo ka filluar të shfaqet akuza e qeverisë kundër popullit të vet sikur e ka zënë sëmundja e pashërueshme. Qeveria e ka shtuar dozën e akuzës kundër popullit të vet si i sëmurë. Para dy ditësh kryeministri akuzoi popullin si “dembel e të paaftë për punë”. Më herët e kishte akuzuar si “popull qorr”, dmth., i infektuar nga sindroma shogren. Akoma më herët e kishte akuzuar popullin e vet si “popull budalla” që voton për tjetrin. Akoma më herët e ka quajtur popull “dele”. Në veri të vendit, ku përqendron neverinë më të madhe deklaroi se, “këtu më neveritet atdheu”…
Veç një popull që nuk përballet, veç ai e duron fyerjen në masë. Rreziku i fyerjes në masë është shumë i madh. Sepse kur fyen në masë makina shtetërore, jo veç  fyen në masë, edhe fajëson e dënon në masë. Siç na ka ndodhur para 25 vjetësh. Nga ana tjetër, veç një qeveri që nuk përballet me popullin, mund të guxojë të fyejë në masë.
Atëherë duhet përballja. Duhet të zgjidhet çështja mes dy palëve, mes popullit dhe qeverisë. Njëri duhet të fitojë, të dy nuk mund të jenë fitimtarë.
4.
Nuk është e thjeshtë kjo që ndodh, që qeveria fyen në masë. Disa djem e vajza, pardje e quajtën kryeministrin “Arrogant” dhe i vunë një pankartë me këtë fjalë para hotelit 15 katësh. Mirëpo sjellja e kryeministrit nuk është thjesht arrogancë. Nuk e dëgjuat kryeministrin si u përgjigj? “Bëni votat-tha-dhe pastaj ejani” të përballemi! Këtu u duk gjithë strategjia antipopullore e qeverisë. Domethënë qeveria mbahet mbi votat e popullit që i paska marrë me shumicë! Domethënë, qeveria përballet me popullin në emër të popullit!… Prandaj duhet bërë e qartë, duke u përballur populli me qeverinë, dmth., të qërohet çështja cili është populli e cila qeveria. Të rinumërohen edhe votat që qenkan dhënë një herë e një kohë, para se të veprohet kundër popullit.
Qeveria e quan prapë popullin “të marrë”. Sepse i mori votat dhe i thotë se “ti popull nuk ke vota”. Pas kësaj qeveria po i vjedh gjithë pasurinë dhe po e lë lakuriq. Domethënë po e quan popull me sëmudje venale dhe po e rrjep nga gjithçka ka.
Në qoftë se do të pritet edhe më gjatë, atëherë populli nuk do të ketë më aftësinë e përballjes. Prandaj u tha se përballja duhet tani.

… Çudi. Këta nuk dinë çfarë bëjnë, as çfarë thonë.
Këta nuk ia japin vetes shansin që të përballen, dmth., të shtrojnë kartat mbi tavolinë dhe loja të nisë nga e para. Ka ardhur momenti kur çështja do një konkluzion e një përfundim.
Përballja bën të mundur më të mirën.