Ballina Politikë Ministri britanik: Krizë në BE? Prisni kur të anëtarësohet edhe Shqipëria

Ministri britanik: Krizë në BE? Prisni kur të anëtarësohet edhe Shqipëria

Vazhdon që të përdoret Shqipëria nga zyrtarët britanik si një fenomen i keq për të bindur qytetarët për të votuar pro daljes nga Bashkimi Europian. Në një shkrim për “Daily Mail” Sekretari britanik i Drejtësisë thekson, se BE do të bëhet dhe më keq me anëtarësimin e Shqipërisë.
Ashtu siç ishte parashikuar nga “Financial Times”, Shqipëria po vazhdon që të përmendet dhe më shumë në Britaninë e Madhe. Kësaj here është një replikë që Sekretari britanik i Drejtësisë, Majkëll Gove, i bën kryeministrit shqiptar Edi Rama për deklaratat në lidhje me përdorimin e modelit shqiptar për fushatën “Brexit”.
Në një shkrim për “Daily Mail”, Gove thekson se modeli shqiptar duket si një novelë e John le Carré, me një histori të politikës intriguese, shuma të mëdha parash që shkojnë në rrugë të gabuar, kriminalitet dhe marrëveshje të dyfishta. Por sipas tij, modeli shqiptar nuk është një lexim vetëm fantazi, por është një fakt diplomatik.
Gove thekson se, me taksat e britanikëve, qeveria angleze do t’i japë BE rreth 2 milionë paundë deri në 2020 për të financuar vende aspirant si Shqipëria që pretendojnë të hyjnë në union.
Sipas Sekretarit të Drejtësisë britanike, anëtarësimi i vendeve si Shqipëria në BE do të jetë një gabim i madh, pasi do të fillojnë dyndjet e shqiptarëve në vendet e Europës dhe sidomos Britanisë. Gove nënvizon se me ardhjen e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar do të sjellin me vete problem si korrupsioni, krimi i organizuar e deri tek terrorizmi. Ai bën të ditur se 10% e të burgosurve në BE janë nga Shqipëria, ndërsa thotë se vetëm këtë vit janë arrestuar rreth 20 gangsterë shqiptarë që drejtojnë banda droge në Mançester.
Më 23 qershor Britania do të zhvillojë një referendum për të qëndruar ose jo në Bashkimin Europian.  Pjesë e debatit për fushatën pro dhe kundër daljes nga BE është bërë dhe Shqipëria, ku thuajse asnjëherë nuk përdoret në mënyrë pozitive.

Exit mobile version