Michel Platini kërkon presidencën e FIFA-s

Michel Platini nuk heq dorë nga posti i presidentit të FIFA-s. Në momentin që paraqiti apelimin e tij në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për përjashtimin nga futbolli për një periudhë 6-vjeçare, ish-presidenti i UEFA-s bëri të ditur se posti i presidentit të FIFA-s është objektivi i tij në një të ardhme shumë të afërt. “Mendoj se do të jem president i FIFA-s, duke filluar që prej muajit qershor”, u shpreh Platini.
Një deklaratë e guximshme nga Platini, që duket se mbështetet pikërisht te siguria e tij se do të arrijë të fitojë çështjen në Gjykatën e Lozanës. “Unë kam qenë gjithmonë shumë i qartë sa i përket çështjes sime. Është e vërtetë që unë kam punuar për FIFE-n dhe kam marrë një pagesë për punën e bërë, por njëkohësisht kam paguar të gjitha taksat. Pas tetë vjetësh u përmendën shumë gjëra, dhe detaje që nuk kanë shumë lidhje me çështjen. U akuzova se kam patur konflikt interesi, por përsa më përket mua, unë besoj se kam qenë i pastër dhe konkret në gjithçka që kam deklaruar dhe se nuk ka patur kurrfarë konflikti interesi në këtë çështje”, tha ai.
Në zgjedhjet e mbajtura pak muaj më parë, Gianni Infantino u zgjodh presidenti i ri i FIFA-s, por Platini shpreson që në rast pafajësie të kërkojë një tjetër proces zgjedhor nga ana e qeverisë së futbollit botëror.