Hicfeld kritikon Guardiolën

Pep Guardiola surprizoi me formacionin në ndeshjen që s’duhej. Përballë një “uragani” si Atletiko Madrid nuk mund të luhej me Komanin në krahun e djathtë, duke u besuar 4 spanjollëve, apo me vetëm dy gjermanë në fushë, Nojerin dhe Lahmin. Nuk mund të liheshin në stol dy ikonat, apo “emblemat’ e klubit bavarez, Frenk Riberi dhe Tomas Myler. Këtë tezë ka mbrojtur si legjenda Otmar Hicfeld dhe asistenti i Guardiolës, Herman Gerland. Në mënyrë indirekte kundër surprizës së pakëndshme ka qenë kapiteni Filip Lahm dhe Lotar Mateus, duke i dalë në mbrojtje Tomas Mylerit.
“Nuk mund të jem i lumtur. Kur ke një ekip solid dhe gjen kaq pak vend në këtë moment, atëherë duhet të mbajmë emocionet”, tha Myler pas ndeshjes. Ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld, e kryqëzon rrotacionin në analizën e tij për “Sky”.
“Për mua ishte një surprizë e rrezikshme dhe koincidoi delikate me shumë risk. Tomas Myler është i rëndësishëm për Bajernin si Mesi për Barcelonën. Në ndeshjet vendimtare janë pothuajse të pazëvendësueshëm. Por, Guardiola është një trajner guximtar”, analizoi Hicfeld.
Me atë vendim, Guardiola rrëzoi edhe ligjin e Van Galit, i cili pati thënë për Tomasin që 20 vjeç: “Myler luan gjithnjë”. Edhe pse Pep u justifikua që donte më shumë mesfushë krahu, Myler mund ta bënte rolin më mirë se Koman.
Për Mylerin, Guardiola u provokua edhe nga gazetarët, të cilët e pyetën: “Pse nuk e aktivizuat sot Mesin titullar?” Pro Mylerit flet çdo fakt dhe statistikë. 26-vjeçari gjerman ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje Championsi gjatë këtij sezoni. Ishte pikërisht ai që shënoi edhe golin e barazimit kundër Juventusit. Ishte ai që ndëshkoi Verderin me dy gola në gjysmëfinale të Kupës.
Vendimet e tij janë të pakundërshtueshme, prandaj edhe asistenti gjerman Herman Gerland shprehet i surprizuar nga zgjedhjet e Guardiolës. “Kanë ndodhur shpesh surpriza që një lojtar qëndron në stol pa e parashikuar një gjë të tillë.
Ndaj Atletikos patë dy, Tomas Mylerin dhe Frenk Riberinë”, pati thënë Gerland para ndeshjes me Atletikon, duke e vënë theksin te Tomasi. “Myler sillet gjithnjë me zgjuarsi, por nuk mendoj se ndihet i lumtur që qëndron në stol”.
Edhe kapiteni Lahm këshillon indirekt që Pep të korrigjohet: “Jam i sigurt që Myler do të shënojë një gol në gjysmëfinale”. Pra, Myler duhet të luajë titullar. Në të njëjtën linjë ka qenë rekordmeni Lotar Mateus dhe Borsi Beker, të cilët besojnë te përmbysja falë Tomas Mylerit.