Ballina Politikë Dekriminalizimi, 40 deputetë e 27 kryebashkiakë nuk e plotësojnë

Dekriminalizimi, 40 deputetë e 27 kryebashkiakë nuk e plotësojnë

Kur mbeten edhe pak ditë nga mbyllja e afateve për dorëzimin e formularit të dekriminalizimit, 40 deputetë dhe 9 ministra nuk e kanë plotësuar ende atë. Zëdhësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxha kujtoi sot ligjvënësit, ministrat, kryebashkiakët dhe këshilltarët e bashkive, se kanë afat deri më 4 maj, për të dorëzuar formularin pranë KQZ-së. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, formularin nuk e kanë dorëzuar: 40 deputetë, 9 ministra, 27 kryebashkiakë dhe 361 këshilltarë. “Aktualisht nga 1.836 funksionarë, kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë KQZ-së, 1.379 ose 75.1 % e tyre. Për t’ju ardhur në ndihmuar funksionarëve, të cilët nuk e kanë dorëzuar akoma formularin e vetëdeklarimit, pavarësisht se dita e Hënë është ditë pushimi, KQZ do të jetë hapur edhe ditën e hënë, datë 2 maj 2016”, tha Hoxha. Formulari i vetëdeklarimit ndodhet në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.
Të gjithë funksionarët duke nisur nga Kryeministri e deri tek zyrtarët e çdo niveli të administratës publike janë të detyruar të depozitojnë formularin e vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës. Çdo formular vetëdeklarimi regjistrohet me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet e dokumentohet në rrugë elektronike. Subjekti që ka lënë mangësi ka dhe një mundësi për ta plotësuar vetëdeklarimin për 5 ditë të tjera. Nëse ai nuk e dorëzon vetëdeklarimin të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi sipas hapave të parashikuar në mënyrë të detajuar. Organi përgjegjës dhe më pas Prokuroria brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet ekzistenca e rekordeve kriminale për funksionarët aktualë, organi përgjegjës zbaton procedurat kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Për të ardhmen ligji parashikon që për deputetët, Kryeministrin dhe ministrat jo deputetë dhe të zgjedhurit vendorë formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Exit mobile version