Berisha-Kuqi: Bllokimi i Rrugës së Arbërit, qëndrim i papërgjegjshëm i qeverisë shqiptare

Ish-Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Driton Kuqi, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Berisha ka shprehur keqardhjen për mungesën e investimeve në Maqedoninë Perëndimore.
“Pata kënaqësinë të prisja në një takim ministrin e ri të Ekonomisë së Maqedonisë, zotin Driton Kuqi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Ministri Kuqi më solli përshëndetjet e kryetarit të BDI, Ali Ahmeti dhe më njohu me zhvillimet e fundit politike në këtë vend, të cilat i ndjek me shumë interes dhe në mënyrë konstante. Ministri Kuqi më njohu mbi vendimin për të hapur në Shkup Universitetin shqiptar ‘Nënë Tereza’. Shfrytëzova rastin për t’i përcjellë kryertarit të BDI, z. Ali Ahmeti përshëndetjet e mia të përzemërta, falënderova me mirënjohje emërtimin e një rruge të bukur në Shkup me emrin e tribunit të lirisë së shqiptarëve Azem Hajdari. Shpreha vlerësimin tim të madh për nismën e hapjes së universitetit shqiptar në Shkup dhe emërtimin e tij me emrin ‘Nënë Tereza’, nobelistes shqiptare, gruas më të famshme të shekullit që jetoi.
Unë në takim vlerësova shumë gjithashtu tendencën në rritje të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni për të hedhur mënjanë guackën e asimilimit të imponuar nga politikat antishqiptare dhe për t’u ndjerë siç janë, krenarë me përkatësinë dhe identitetin e tyre kombëtar shqiptar.
Ata kanë dhënë një kontribut palcor në rilindjen dhe çështjen kombëtare. Në këtë takim shpreha keqardhjen që komuniteti ndërkombëtar po injoron krizën e thellë që ekziston në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni për shkak të albanofobisë. Mendoj se një organizim i llojit federal do të mund të ulte tensionet ndëretnike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e Maqedonisë. Në këtë takim shpreha keqardhjen time për mungesën e investimeve në Maqedoninë Perëndimore, si dhe për qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë shqiptare që nuk po çon përpara punimet për të përfunduar rrugën e Arbërit, e cila pa diskutim mund të quhet si rruga e dytë e kombit, që do të afrojë jo vetëm Shkupin me Tiranën me 104 km, por do të sjellë më afër trevat shqiptare në tërësi. Takimi ishte miqësor”, shprehet Berisha në postimin e tij në rrjetin social Facebook.