“Benzi” bie në liqenin e Shkopetit, dy të vdekur dhe dy të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Burrel-Peshkopi. Sipas burimeve, një makinë tip “Benz” me targë AA 923 FH ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në liqenin e Shkopetit, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur dy të tjerë.
Burimet policore bëjnë me dije se makina ka rënë në afërsi të tunelit të Shkopetit, duke shkaktuar vdekjen e dy pasagjerëve dhe plagosjen e 2 të tjerëve. Sipas informacioneve që përcjell policia, në automjet udhëtonin 3 vëllezër dhe kushëriri i tyre. Ndërkohë, nga aksidenti tragjik kanë humbur jetën një nga vëllezërit, Afrim Rexhepi dhe kushëriri, Fitim Nelku, ndërkohë janë plagosur Artan dhe Ajet Rexhepi.
Të plagosurit u transportuan për në Spitalin e Laçit. Po sipas këtyre burimeve, të aksidentuarit po ktheshin nga puna, pasi ishin punëtorë ndërtimi në Shupenzë. Me të marrë informacionet në vendngjarje shkuan autoambulanca nga Burreli dhe forca të policisë së Burrelit, Laçit dhe Lezhës.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia bëri të ditur se, më datë 30.04.2016, rreth orës 13.30 është njoftuar se në rrugën Milot-Burrel, në vendin e quajtur tuneli i Shkopetit në dalje, një mjet “Benz” me targa AA 923 FH ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. “Në mjet po udhëtonin 3 vëllezër dhe kushëriri i tyre banues në Sukth Dibër. Si pasojë kanë mbetur të vdekur shtetasit: Afrim Rexhepi e Fitim Nelku. Kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve: A.R. A.R. Këta shtetas janë punëtorë ndërtimi në Shupenzë Dibër ku kanë qenë duke u kthyer nga puna”, citohet në njoftimin e policisë.