Basha: Ulje e taksave dhe çmimit të energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në takimet me banorët dhe tregtarët e Vorës se vetëm përmes uljes së taksave, ekonomia shqiptare do të xhirojë 1 miliard euro më shumë në vit. Këto para do të ndikojnë në shtimin e vendeve të punës dhe rritjes së konsumit. Pronarët e biznesit të vogël e njohën Bashën me vështirësitë e tyre. Edhe ato pak para që mund të fitojnë shkojnë për të paguar faturat e rritura të energjisë elektrike, thanë tregtarët e Vorës.
Tregtar: Nuk ble njeri, të gjithë me listë. Energjia shumë e lartë.
Basha: Sa të shkon fatura e energjisë në muaj?
Tregtar: Më shkon 200.
Basha: 200?
Tregtar: Po, 180, 200.
Basha: Po më përpara?
Tregtar: Po shumë më pak 60, 70 kena pagu.
Tregtar: Qysh ke kolpo e dritave (u rrit çmimi) filloi masandej disheza. Me thënë realen. Mbyllja e ndërtimit, mbyllja e punës, bie xhiroja, ku do të shkojë. Më shumë frikë ka.
Basha: Do ta heqim frikën. Do të ulim taksat, do të ulim çmimin e energjisë. 1 miliard euro do t’i kthehen ekonomisë vetëm duke ulur taksat, duke ulur çmimin e energjisë. Vetëm me këto fillon konsumi, biznesi merr frymë dhe rritet punësimi.
Në Marikaj kryetari Basha vizitoi dy familje, të cilat pavarësisht situatës së vështirë shëndetësore dhe asaj ekonomike që kalojnë kryefamiljarët, janë braktisur nga shteti. Varfëria dhe gjendja shëndetësore (këmbë të prerë) e Zaim Gegës u përdor në zgjedhjet e 2015-ës për t’i blerë votën, por varfëria nuk e mposhti dhe votën nuk e shiti.
Banor: Merri këto para thanë e hajde voto për mu. I thanë e kena makinën këtu, të çojmë me makinë. Ça thu more, unë nuk e ndërroj kurrë bindjen politike që kam. Bythaz kam me shku, s’du makinë. Me ma vu në ballë mitralozin e topin s’bëj mbrapsht unë….. Është bë një shtet shumë i korruptum, nuk m’i kanë dhënë ilaçet. Shtatë vula nuk i merr parasysh. Të mos marrësh rekomandimet e shtatë mjekëve, shtatë vula e ke parasysh. Marr 40 mijë lekë. Më vraftë Perëndia, më vraftë Zoti sikur i marr i çoj ke dritat.
Situatë e vështirë ishte dhe në familjen e Gëzim Xhixhës. Zoti Xhixha vuante nga diabeti dhe kishte të dy këmbët e prera. Ndonëse shpenzon rreth 100 mijë lekë në javë për ilaçe dhe janë katër vetë që duhet të ushqehen, nuk ka asnjë ndihmë nga shteti përveç 50 mijë lekë (të vjetra) pension.
Banore: Ka shku milionshi për një muj, se ka qenë në spital.
Basha: Po ilaçet?
Banore: Ja ilaçet, shih ku i ka ilaçet.
Basha: Ua rimbursojnë apo jo?
Banore: Jo s’ka rimbursim. Shko shiko listën atje. 60 mijë e ka marrë vetëm dje, 63 mijë. Të premten ka marrë 42 mijë. 100 mijë lekë llogariti për një javë.
Basha: Si qeveri do të bëjmë të mundur që për njerëzit që janë në halle të tilla ilaçet të jenë 100% të rimbursueshme nga shteti. Edhe me ndihma të tjera kur jeni në kushte të tilla, kur s’keni njeri në punë t’ju paguhet fatura e energjisë, t’ju paguhet fatura e ujit. Jo ndonjë ndihmë që të jetoni ashtu siç e meritoni, por të paktën t’ju heqim një pjesë të hallit.
Banore: Kur kam qenë në spital m’u dhimshin fëmijët se më merrnin në telefon dhe më thonin: “Oj mamë nuk kena ça të hajmë”. Unë a të mbaj burrin në spital, se do të rrija pas këtij. S’kishte mundësi t’i shërbente atje. U thoja merrni borxh ke dyqani, ata më thonin se s’na japin më mami se kemi hyrë borxh deri në fyt.
Në takimin me fermerët e Marqinetit, Prezë, Domje, kryetari i Partisë Demokratike i njohu me disa nga pikat e programit për bujqësinë. Investimet në infrastrukturë dhe mbështetja e drejtpërdrejtë me subvencione, janë dy shtyllat e mbështetjes buxhetore të bujqësisë.
Basha: Ne kemi vendosur ta subvencionojmë bujqësinë tek çdo fermer. Siç shpërndahen pensionet, siç shpërndahet ndihma ekonomike kështu do të shpërndahet edhe subvencioni për fermerët, për çdo fermer. Me anë të një subvencionimi të tillë që do të kapë shifrën 120 milionë dollarësh në vit ne do të arrijmë të shuajmë koston e punës për dynym.
Personat në nevojë ekonomike do kenë vëmendje të veçantë nga qeveria e Partisë Demokratike, tha zoti Basha, duke prezantuar disa nga pikat e programit për të mbështetur familjet në nevojë.
Basha: Familjet në ndihmë ekonomike deri në 200 KW do t’i paguajë shteti, edhe faturën e ujit. Këto kontratat që shkoni i paguani nga 2500 lekë të reja do të marrin fund sepse bëhet fjalë në tërësi për detyrime të pajustifikuara.