Arkitekti italian: Do lidhem me zinxhirë që të mos ndërtohet Arena Kombëtare

“Do vij dhe do lidhem me zinxhirë që të mos ndërtohet Arena Kombëtare”. Ky ka qenë reagimi i arkitektit të njohur italian Paolo di Nardo, sapo ka parë projektin e stadiumit që pritet të ndërtohet në Tiranë. Këtë shpërthim kundër të arkitektit italian e bëri publik arkitekti Artan Raça, në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në “Ora News”. Sipas Raçës, projekti i propozuar për stadiumin e ri nuk duhet të realizohet aty ku sot qëndron “Qemal Stafa”, pasi kjo do të shkatërronte jo vetëm sheshet “Italia” dhe “Nënë Tereza”, por të gjithë qendrën e kryeqytetit. Arkitekti theksoi se, nëse do të hapet një konkurs, do ketë dhjetëra propozime për ta rikthyer stadiumin “Qemal Stafa” në qendër multifunksionale, por duke ruajtur identitetin dhe trashëgiminë.
“S’jam specialist i ligjeve. Më duket se nuk po kuptohet mirë, që ai vend atje është qendra e Tiranës, kur e ka bërë Bosio stadiumin ai ishte periferi, ka qenë tokë djerr. Po bëjmë një stadium në qendër të Tiranës. Ai është një kompleks, i cili është shumë i vyer për ne. Duhet të hapen konkurse që të vijnë me qindra ide fantastike, që të ruhet fasada. Stadiumi duhet të ikë që andej dhe për një arsye tjetër. E shoh me pikëpamje më qytetare, qyteti ka nevojë që periferitë të rindërtohen. Këto vepra janë që ndërtojnë qytetin në tërësi. Kur Bosio erdhi në Tiranë dhe e rilindi këtë qytet, e rilindi në një vend tjetër, atje kur s’ia merrte mendja askujt që metri katror do të shkonte dy mijë euro. T’i thërresim mendjes për këtë që po bëjmë. Dhe, sa për ta inkuadruar më mirë, nëse do t’i merrnim mendim komshinjve italianë, e quajnë skontata, që nuk ndërtohet më atje, që s’duhet prekur projekti aktual.
Më lejoni, megjithëse s’jam i autorizuar, por po e them; Në Facebook pash një ndërhyrje interesante të një prej kolegëve të arkitektit italian Marco Casamonti, që është edhe ai pedagog në Fakultetin në Firence, një shok i tij, që quhet Paulo Di Nardo. Në Facebook shkroi një gjë, kur mori vesh që stadiumi i Bosios do të prishej. Thoshte “do organizoj një çartër dhe do vij aty me arkitektë italianë që të lidhemi me zinxhirë te stadiumi i Bosios”. Këtë mos ta marrim si të vërtetë absolute, por të themi që sensibiliteti i tyre na bën që të mendojmë gjatë për këtë punë. Kur themi të mendojmë gjatë, është një thirrje e sinqertë. Unë nuk jam kundër këtij ndërtimi, të shkatërrojmë dhe të ndërtojmë, se qyteti që të bëhet i bukur ka nevojë për shkatërrim dhe ndërtim, por jo kjo, nuk është vendi i duhur. E fundit fare, meqë jam para televizorit, kam një propozim ndaj Këshillit Bashkiak i Tiranës, që t’i vënë emrin e Bosios, Brasinit një sheshi, sepse do të ishte një nderim për këta njerëz, të cilët na kanë lënë një Tiranë që të paktën kemi një arsye për të jetuar. Të ruhet ky Monument, atij sheshit “Italia” t’i vemë emrin e Bosios” u shpreh Raça.