Abrashi dhe Freiburg në Bundesligën gjermane

Amir Abrashi dhe Freiburg festuan ngjitjen zyrtare në Bundesligën gjermane për sezonin e ardhshëm. Falë fitores 2-1 në fushën e Paderbornit, skuadra e drejtuar nga trajneri Christian Streich rikthehet në elitë vetëm një vit pas rënies nga kategoria. Me golat e realizuar nga Mike Frantz dhe Nils Petersen, në harkun e dy minutave të pjesës së dytë të ndeshjes, ngjitja mes më të mirëve u sigurua kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e sezonit. Si zakonisht, Abrashi ishte titullar edhe në këtë sfidë, duke dhënë kontributin e jashtëzakonshëm për skuadrën në mesin e fushës.
Freiburg kryeson Bundësligën e dytë me 69 pikë, 5 më tepër se Leipzig dhe 10 pikë përpara Nurnberg-ut të vendit të tretë, por me suksesin në fushën e Paderbonit ka garancinë matematikore se do ta mbyllë edicionin në dy vendet e para të renditjes.
Një sukses i jashtëzakonshëm për Amir Abrashin, i cili u transferua te Freiburg në fillim të sezonit. 26-vjeçari kuqezi, që ishte mes më të spikaturve, klubi dhe tifozët presin të jenë konkurues edhe në elitë, ku jo më larg se viti 2013 e mbyllën sezonin në vendin e pestë të Bundesligës.