Pse jam kundër projektit për stadiumin e ri të Tiranës

Arben BIÇOKU

– Prish një objekt Monument Kulture, dhe një Ansambël Monument Kulture. Ansambli i Sheshit “Nënë Tereza” është ansambli më i goditur i një sheshi që ne kemi në Shqipëri. Nuk kemi mundur të bëjmë një të dytë që të ketë aq vlera. Kemi dekada që nuk po arrijmë të rregullojmë dot Sheshin “Skënderbej”. Si i tillë, si një ansambël me vlera ai duhet ruajtur me fanatizëm. Argumenti që sjell kryeministri për ruajtjen e fasadës monumentale, duke postuar një foto të një renderi (fotoja në fjalë) ku dallohet që fasada është ruajtur si një paret muri brenda një fasade xhami, në fakt është kundër argument, pasi tregon mbi fasadën e tribunës që ka hipur një volum tre herë më i madh se ai ekzistues. Kjo shkatërron jo vetëm proporcionet e Sheshit “Italia”, por shkatërron edhe porporcionet e vetë Sheshit “Nënë Tereza”. Miratimi do të përbënte një precedent të keq që çdo monument kulture ta mbyllnim brenda një hapësire xhami dhe t’i kërcenim me një pallat tjetër përsipër. Po ashtu ngjyrat e kuqe të ndezura e shkatërrojnë harmoninë koloristike të atij sheshi dhe e bëjnë të mos jetë më ai që është.
– Nga pikëpamja urbanistike mendoj se sot është vendi i gabuar që stadiumi të jetë aty në atë pozicion. Mendoj që duhet të jetë në periferi. Argumenti që po e bëjmë aty ku është nuk qëndron. Në momentin që ndërtohet i ri do duhet të ndërtohet atje ku rregullat e Urbanistikës e identifikojnë si vendin më të përshtatshëm. Dhe nëse bëhet sot kjo analizë nuk është ai vendi më i përshtatshëm. Kur ai është ndërtuar aty ka qenë periferi e Tiranës. Sot nuk është më e tillë. Këto lloj objektesh për shqetësimet që i sjellin qyteteve në transport kur ka ndeshje zakonisht pozicionohen në periferitë e largëta. Kjo do të bënte që të kompletohej më mirë me aksesorët që kërkon dhe sidomos parkimet, por dhe stacionet multimodale të transporteve publike shumëvalente.
– Zgjidhja arkitektonike e paraqitur nuk mund të quhet aspak e arritur artistikisht. Në këto objekte që kanë impakt të madh mbi qytetin zakonisht tentohet të ketë një arkitekturë avangarde dhe sa më goditëse estetikisht. Kjo zgjidhje nuk të krijon këtë impresion.
– Fasada e paraqitur nuk është aspak inovative, por është një kopje identike e fasadës që i njëjti arkitekt ka projektuar për një objekt tjetër, në Bibliotekën Bashkiake të qytezës Nembro të Italisë (një foto tëe kësaj fasade unë e kam publikuar këtu në Facebook).
– Ka pasur një reagim të madh qytetar dhe intelektual kundra këtij projekti. E urbanistika është një gjë që bëhet për njerëzit dhe jo kundra tyre. Qyteti është i njerëzve.
– Mendoj se edhe politikisht do bënte mirë për qeverisjen një tërheqje dhe mosmiratim i këtij propozimi. Mostërheqja do perceptohej si një arrogancë ekstreme. Karvani i qeverisjes, megjithëse termi karvan është shprehur me krenari, këtë herë është duke ecur në drejtim të paditur dhe të gabuar, e nuk është duke ecur aspak përpara.