OSHEE, 6 miliardë lekë vjedhje në tenderin për vendosjen e matësave

“Nga 7 miliardë lekë ka dhënë kreu i kësaj bande, që foli dhe sot për suksese imagjinare, për vendosjen e 50 mijë matësave. Sipas tregut, vendosja e një matësi një fazor kushton 10 mijë lekë. Ndërsa vendosja e një matësi trefazor kushton 20 mijë lekë”
Për një shërbim, kosto e të cilit është 1 miliard lekë, OSHEE ka akorduar shumën prej 7 miliardë lekësh, duke vjedhur 6 miliardë lekë
Zbulohet një prej tenderave më skandalozë të OSHEE-së së Edi Ramës, të bandës që po rrjep shqiptarët çdo muaj, me dhunë me arbitraritet, me mbifaturim. Denoncimi është bërë dje nga Partia Dmeokratike, ku zëdhënësja Ina Zhupa bëri të ditur se për një shërbim që ka të bëjë me vendosjen e matësave, kosoto e të cilit është 1 miliard lekë, OSHEE ka akorduar shumën prej 7 miliardë lekësh, duke vjedhur haptazi plot 6 miliardë lekë.
“Nga 7 miliardë lekë ka dhënë kreu i kësaj bande, që foli dhe sot për suksese imagjinare, për vendosjen e 50 mijë matësave. Sipas tregut, vendosja e një matësi një fazor kushton 10 mijë lekë. Ndërsa vendosja e një matësi trefazor kushton 20 mijë lekë. Pra, në rastin e shpenzimit maksimal, instalimi i matësave do të shkonte 1 miliard lekë, për 50 mijë matësa, sipas kostos së tregut. Por Çela i Ramës, ka dhënë 7 miliardë lekë. Ku shkojnë 6 miliardë lekë?” u shpreh Zhupa gjatë deklaratës për mediat.
Ajo theksoi se, tenderi është edhe më skandaloz, pasi këtë shërbim janë duke e kryer vetë punonjësit e OSHEE, ndërsa paratë e tenderit i merr klienti i Ramës pa kryer asnjë shërbim.
“Ku shkojnë 6 miliardë që u merren shqiptarëve, të pamundurve çdo muaj, ku askush nuk dëgjon për ankesat dhe askush nuk i pret abonentët për sqarime. Sigurisht, këto miliarda shkojnë në xhepat e Ramës e oligarkëve të tij. Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur vendosjen e këtyre matësave po e bëjnë punonjësit e OSHEE. Punonjës që paguhen me taksat tona, ndërkohë që paratë i merr klienti i Edi Ramës që ka fituar tenderin. Pra, fitimi i tij rritet edhe më shumë. Hisja që ndajnë oligarkët zmadhohet edhe më tepër”, tha zëdhënësja e PD.
“Kjo është OSHEE e Ramës, kjo është banda që i është vërsulur popullit, duke i marrë dhe kacidhen e fundit, për t’i ndarë paratë me miqtë dhe klientët. Shpejt, populli i dhunuar e plaçkitur deri në qindarkën e fundit do ta thotë fjalën, dhe koha që këta hajdutë të japin llogari dhe para ligjit nuk është e largët”, tha Zhupa.
Ndërkohë Ardian Çela, drejtori i ri i Përgjithshëm i OSHEE ka qenë nën hetim për korrupsion nga Prokuroria e Durrësit për 8 tendera që ka zhvilluar, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.3 milionë dollarësh. Çela është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershorin e vitit të kaluar, pas shkeljeve që ky institucion gjeti në tenderat që ky i fundit kishte zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, si kryetar komisioni. Por të gjitha këto nuk e kanë ndaluar Ramën që drejtim e energjisë në vend t’ia besojë një personi, i cili është në hetim për favorizim në tendera.

Skema korruptive e OSHEE dhe tenderat për klientët

Megakorrupsioni që paguan OSHEE për sipërmarrjet e lidhura me qeverinë apo ministrat e saj, duket se është zyrtarizuar nga Kryeministri Edi Rama, si një pus parash publike të pafundme për të shpërblyer zyrtarët. Skema korruptive e OSHEE dita-ditës nxjerr në dritë emra dhe firma që janë të lidhura me individë të fortë brenda mazhorancës së rilindjes. Sipas portalit “Boom.al” vetëm dy tendera të kësaj strukture u janë dhënë dy firmave të lidhura me ministrin Arben Ahmetaj.
Tenderi linja e tensionit të lartë lagjia Dunavat-Gjirokastër me vlerë rreth 200 milionë lekë ka pasur fitues subjektin Vaso Jovani. Kjo firmë është kualifikuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit, për arsyen e vetme se Nard Mene, drejtori i investimeve në OSHEE, që është kunati i Arben Ahmetajt, ka ndikuar pranë KVO-së së kësaj procedure prokurimi për të shpallur fitues këtë subjekt. Madje, përflitet se, zarfi për Menen ka qenë 30% e fondit limit. Njëkohësisht edhe një tender tjetër i dhënë nga OSHEE për një klient të Nard Menes është edhe tenderi me objekt “Pajisja me kabllo elektrike të linjës Gjirokastër”, me vlerë 1,4 milionë dollarë, me fitues subjektin “Arifaj shpk” edhe në këtë tender, Mene ka ndikuar pranë zyrtarëve të prokurimit për të shpallur fitues subjektin “Arifaj”, i cili nuk plotësonte kërkesat e tenderit.
Në të gjitha rastet, tenderat janë anuluar dhe ribërë vetëm e vetëm që Mene të garantonte shumën e kërkuar të shpërblimit. Duket se me rilindjen e tenderave publike, bakshishi i kërkuar nga zyrtarët është rritur nga 20% në 30% të vlerës së fondit. Kjo ka bërë që fondet të fryhen dhe vlerat e ofertave fituese të jenë shumë pranë vlerës maksimale dhe të skualifikohen ofertues që paraqesin oferta më të ulëta. Madje, presioni i zyrtarëve të përfolur për korrupsion shkon deri aty saqë anulojnë procedurat e prokurimit vetëm e vetëm për të vulosur pazarin më të lartë. Kësaj nisme të fundit rilindase nuk i ka shpëtuar as Nard Mene, lidhjet e të cilit, çuditërisht të çojnë tek ministri Arben Ahmetaj me të cilin është kunat. Në vijim të tenderave korruptivë, përfitues kanë qenë edhe djemtë e nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, ku për kompaninë e djalit të saj, OSHEE shpiku një tender për të trajtuar stresin e punonjësve.

Arben Shahini