16 mijë biznese falimentuan në tre mujorin e 2016, po i’u sekuestrohen asetet

Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë ka ngritur shqetësimin se biznesi po përballet me një situatë të rëndë. Në një konferencë për shtyp kreu i kësaj shoqate Nikollaq Neranxi tha se: “Rreth 16 mijë biznese kanë falimentuar vetëm brenda tremujorit të parë të këtij viti dhe po iu sekuestrohen asetet, sepse nuk arritën të shlyejnë detyrimet në shtet. Kjo ka ardhur në radhë të parë për shkak të rënies së fuqisë blerëse, i cili tashmë është një fakt që dihet, preket dhe e vuajnë shumica. Bizneset kanë pohuar në një anketim për Bankën e Shqipërisë se kërkesa për mallra dhe shërbime ka pësuar rënie të fortë në tremujorin e parë të 2016, një rënie pikiatë e paparë prej shumë vitesh. Dhe arsyeja e dytë janë të gjitha politikat qeverisëse, qendrore dhe vendore, të cilat janë paralajmëruar nga shoqata jonë kohë më parë, se do të çonin sipërmarrjen e lirë në falimentim. Kjo qeveri, e cila erdhi në pushtet me premtimin e taksave të ulta, në fakt bëri të kundërtën. Në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në prezencën e shumë prej jush këtu, kur i thashë kryetarit se me këto taksa, një biznes sado të punojë, është i destinuar të falimentojë, përgjigja e tij ishte; Le të falimentojë! Kjo është përgjigja e një njeriu, i cili nuk bën gjë tjetër veçse tradhton besimin e zgjedhësve të tij.
Ne, heronjtë e këtij vendi me kaq shumë probleme, kemi një çerek shekulli që investojmë me mish e me shpirt në një aktivitet privat dhe të vijë një forcë politike dhe ta hedhë në erë, sepse është e papërgjegjëshme, këtë ne nuk do ta lejojmë. Nëse nuk do të dimë të kërkojmë të drejtat tona, do mblidhemi pas tre muajsh përsëri, që të numërojmë të tjera biznese që falimentojnë dhe që iu bllokohen llogaritë bankare e iu merren me forcë aseset apo dhe shtëpitë e banimit.
Dua të ngre një problem shumë serioz, i cili është ai i përfaqësimit. Kush na përfaqëson ne? Kush negocion me shtetin për interesat tona dhe si po e bën këtë punë? Që kur ne u ngritëm në protesta për supegjobat dhe më pas për taksat e larta, në rrugë private, me anë të mesazheve, politikanë të ndryshëm më kanë shkruar: “Por çfarë faji kemi ne o Neranx, Dhoma e Tregtisë dhe Biznes Albania kanë hedhur firmën, gjë që tregonte se ju të gjithë jeni dakord!” Po të kemi parasysh vetëm ligjin e supergjobave, të cilin e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, i bie që këto dy institucione që përmenda më sipër, kanë firmosur në emrin tim dhe tuajin, për ligje antikushtetuese, të cilat na dënojnë të gjithëve me falimentim. Firmat e tyre kanë bërë të njëjtin faj, madje krim mund ta quaj, edhe me taksat vendore, paketë të cilën ne e kemi çuar gjithashtu në Gjykatë. Pra ne po na përfaqësojnë individë, të cilët po hedhin firmat e tyre, duke dënuar me falimentim sipërmarrjen e lirë, në këmbim të favoreve të tyre personale”, tha zoti Neranxi.
Shoqata renditi si të nevojshme marrjen e këtyre masave:
1. I kërkojmë qeverisë të mblidhet urgjentisht dhe të gjejë mekanizmat e duhur ligjore për lënien në fuqi të taksave të vitit 2014 se po falimentojnë të gjitha bizneset dhe vendi do të shkojë drejt destabilizimit.
2. Të shkrihet Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë, tek e cila ne kemi paguar miliona dhe nuk na bën asnjë punë, veçse na ka prishur punë. Edhe pse momentalisht ne nuk e kemi anëtarësimin me detyrim, gjithsesi jemi të detyruar të paguajmë, sepse pa disa dokumenta që ata lëshojnë, ne nuk punojmë dot. Të lihen sipërmarrësit të lirë, të anëtarësohen në Dhomat dhe Shoqatat që ata dëshirojnë dhe tek ata që i përfaqësojnë më mirë.
3. Në hartimet e çdo ligji që ka të bëjë me biznesin dhe në diskutimet e tyre në Komisionet Parlamentare, të ketë një konsultim të gjerë me shumë përfaqësues të biznesit. Të miratohet një projektligj, pasi aty të jenë hedhur shumë firma dhe pasi të jetë bindur biznesi që ligjet janë në të mirën e tyre.
4. Duhet që shteti me mekanizmat e tij të ndërhyjë urgjentisht që të mos lejojë biznese të tjera të falimentojnë. Si fillim sugjerojmë që të hiqet fasha e biznesit të vogël dhe të mos kërcënohen me tatime të larta, se na është bërë shteti si gogol. Në këtë mënyrë luftohet edhe informaliteti, sepse tregtari i vogël nuk do të shkojë tek ai që sjell mall kontrabandë, që ta marrë pa faturë tatimore që të mos kalojë fashon që i keni vënë. Ja pra një mënyrë e sinqertë për të luftuar edhe informalitetin.