Shqipëria, simboli europian i degradimit

Shqipëria është shndërruar tashmë në një simbol europian për degradimin e shpejtë të lirive politike dhe ekonomike. Nuk po ndalemi në deklaratat e politikanëve anglezë dhe francezë që e sjellin Shqipërinë në debatet e brendshme si shembullin më skandaloz të ushtrimit të lirive dhe funksionimit të demokracisë në hapësirën europiane, por janë raportet e përvitshme të institucioneve ndërkombëtare që evidentojnë një rënie të frikshme të vendit tonë në të gjithë sektorët jetikë të një shoqërie.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se në Shqipëri po mjerohet demokracia nga korrupsioni që ka dhe krimi i organizuar që kanë përfshirë çdo nivel të pushtetit. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar evidentojnë se po mjerohet ekonomia nga taksat e rënda, koncesionet korruptive, rritja e frikshme e borxhit dhe mungesa e reformave strukturore. Freedom House thotë se ka një mjerim të medias dhe shoqërisë civile nga ndërhyrjet e dhunshme të pushtetit dhe krimit të organizuar që kontrollojnë dhe shantazhojnë non stop hapësirën mediatike dhe shoqërinë.
Institucionet ndërkombëtare nuk gatuajnë shifra, por ata thjesht i referohen realitetit shqiptar. Kushdo në Uashington, New York, Bruksel a Paris që thellohet në analizën e statistikave, mjafton të ndalet në trendin zbritës të treguesve të lirive për të kuptuar se Shqipëria është në ditët e saj më të zeza dhe mund të kualifikohet lirisht si një prej vendeve të dështuara. Për ne që jetojmë në këtë vend nuk ka më asnjë dyshim se një qeveri, Parlament, administratë dhe polici e kontrolluar nga oligarkët mafiozë është një kërcënim për jetën e secilit nga ne që nuk përfiton nga tenderat, koncesionet dhe kontratat korruptive, për secilin nga ne që nuk ka mbjellë plantacionet e drogës dhe nuk ka zgjedhur të trafikojë drogë.
Degradimi i Shqipërisë është sot një alarm për Perëndimin, jo thjesht për faktin se një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Europian po përjeton këtë degradim, por për faktin se një kastë mafioze e superfuqishme po hedh rrënjë në një prej zonave më delikate të Europës. Institucionet ndërkombëtare kanë evidentuar se grupet kriminale shqiptare kontrollojnë miliarda euro fitime të nxjerra nga shitja e heroinës, kanabisit dhe armëve. Ndërsa pak vite më parë këto grupe kriminale ishin nën goditjen e shtetit, sot ata janë shteti dhe kanë imunitet. Ata po i pastrojnë paratë nëpër banka, po grumbullojnë prona, po transferojnë qindra milionë në parajsat fiskale dhe shefat e tyre janë Kryeministri, ministrat dhe superdeputetët. Ata po pastrojnë fitimet që ndajnë me grupet kriminale dhe terroriste që janë aktive në rajon dhe më gjerë. Një shtet i falimentuar përballë krimit dhe lë në mëshirë të fatit qytetarët e vet nuk mund të ofrojë kurrfarë garancie as për fqinjët dhe as për Europën.
Degradimi i Shqipërisë është diçka që nuk mund të lërë të qetë asnjë qytetar të këtij vendi, pasi jo vetëm e sotmja, por edhe ardhmja është kërcënuar dhe komprometuar rëndë. Fqinjët, Europa, BE, NATO e kushdo tjetër i ka të ngritur dhe funksionalë mekanizmat që i mbrojnë nga shtetet e dështuara, por shqiptarët duhet të ngrihen si gjithherë në historinë e tyre kombëtare për të mbrojtur liritë, ekonominë, të ardhmen e tyre. Kur u ngritëm në dhjetorin e ’90 nuk përgatitëm dhe projektuam revolucion a kryengritje, por nga qendra e Qytetit “Studenti” shpërtheu një lëvizje që gjunjëzoi regjimin më barbar komunist të Europës dhe shporri diktaturën që për 50 vite kishte vrarë, burgosur, dhunuar dhe internuar qindra e qindra mijëra shqiptarë.
Degradimi duhet ndalur dhe kërkon aksion, kërkon rezistencë. As pronat, as paratë, as fëmijët, as familja, as besimi, as liria nuk ruhen dhe mbahen sa kohë kjo qeveri dhe kjo mazhorancë qëndron në këmbë. Qelbësirat e kanë vendin në koshin e plehrave.