Rektori Koni pranon në Prokurori dhunimin e kërcënimin nga Shullazi

Akademiku Mynyr Koni, Rektori i ri i Universitetit të Tiranës ka pranuar dje para Prokurorisë se personi që e ndaloi dhe i kërkoi të tërhiqej nga gara e ka kërcënuar dhe dhunuar.
Dy profesorët e kërcënuar, Dhori Kule dhe Mynir Koni nuk përmendin emrin e Emiljano Shullazit para prokurorëve që po hetojnë kanosjen ndaj tyre. Ka qenë ora 9:30 minuta kur në ndërtesën e Prokurorisë për Krime të Rënda është paraqitur ish-rektori Dhori Kule, për të dhënë shpjegime me cilësinë e personit të dëmtuar. I shoqëruar vetëm nga shoferi, Kule ka qëndruar për 2 orë në zyrën e prokurorëve Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, ku ka shpjeguar me detaje gjithçka në lidhje me kërcënimin ndaj tij për mos mbështetjen e kandidatit për rektor Mynyr Koni.
Sipas ABC News, burimet thonë se në asnjë rast, Profesor Kule nuk ka përmendur emrin e Shullazit, duke mohuar njohjen dhe takimin me atë. Sipas Prokurorisë, profesorit i është vendosur para edhe fotografia e Shullazit ku është pyetur nëse ka qenë ky personi në mesin e atyre që e kanë kërcënuar. Por, Profesor Kule mësohet se ka thënë se nuk e njeh personin që i ka dalë para bashkë me disa të rinjë të tjerë, të cilët i kanë kërkuar me anë të kërcënimit të heqë dorë nga mbështetja e kandidatit Mynyr Koni.
Kule, i ka thënë hetuesve, se nuk njihte ndonjërin nga personat që e kërcënuan dhe nuk kishte bërë kallëzim, për faktin se nuk i njihte. Në kohën që Profesor Kule jepte shpjegime para hetuesve, në ora 10 e 25 minuta në ndërtesë ka ardhur rektori i sapozgjedhur Mynyr Koni.
Por ndryshe nga Profesor Kule, mësohet se rektori Koni kërcënimin e personave ende të paidentifikuar e kishte marrë shumë seriozisht. Ai përveç se është ndjerë i kërcënuar, ka pranuar para hetuesve edhe për dhunën e ushtruar ndaj tij. Por edhe rektori Koni ka mohuar se është kontaktuar nga Emiljano Shullazi.
Sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se rektori Koni vazhdon të qëndrojë në pozitat e mosnjohjes së personave që e kërcënuan dhe dhunuan në afërsi të pallatit ku banon, vetëm një javë para zgjedhjeve në Universitet. Mësohet se edhe Profesor Koni i ka qëndruar dëshmisë së dhënë në polici, mbrëmjen e së shtunës.
Si Profesor Kule ashtu edhe rektori Koni, lanë ambientet e Prokurorisë, pas qëndrimit nga dy orë secili para grupit hetimor, ku kanë dhënë shpjegime me cilësinë e personave të dëmtuar.
Për kërcënimin e tyre, Prokuroria akuzon Emiljano Shullazin dhe bandën e tij, si personat që kanosën dy profesorët për të favorizuar kandidaten që doli humbëse në zgjedhje, Klodeta Dibra. Për këtë çështje, Prokuroria po shqyrton edhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë vendeve ku kanë ndodhur kërcënimet. Burimet thanë se shumë shpejt, edhe Dibra do të merret në pyetje në lidhje me njohjet dhe kontaktet e mundshme që ka pasur me Emiljano Shullazin apo personat rreth tij.

Ngjarja

Të enjten e 14 prillit, akademiku Mynyr Koni, kandidat për postin e rektorit në Universitetin e Tiranës ishte duke u kthyer për në shtëpi kur një makinë e blinduar ndaloi para këmbëve të tij. Një person i kërkoi nën kërcënim të futej brenda në makinë, brenda së cilës ishin edhe dy persona të tjerë. Pasi e fusin nën gjuhën e kërcënimit, brenda automjetit të tyre, akademikut të nderuar i kërkohet në mënyrë ultimative që të tërhiqet urgjent nga gara. Ultimatumi i dhënë nga banda ndaj Profesor Konit ishte që nga gara të jepte dorëheqjen urgjent që ditën e nesërme. Tonet e kërcënuesve janë ashpërsuar më tej kur, akademiku Koni u ka thënë se do të mendohej mbi këtë ultimatum. Në këtë moment, reagimi i bandës për dorëheqjen e tij ka qenë i prerë. Profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se, nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit. “Isha në rrugë, duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tri veta. Njëri prej tyre më tha”Ti do të tërhiqesh deri nesër nga gara!”. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: “Ti do të japësh dorëheqjen!”, është shprehur Profesor Koni në dëshminë e tij në polici. Pas kësaj, banda e ka lënë akademikun të lirë. Pas kërcënimit, Profesor Koni ka shkuar në zyrën e rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku i ka shprehur atij tërheqjen nga gara dhe se do të paraqiste dorëheqjen. Kjo kërkesë e Konit ka hasur në kundërshtinë e Kules, i cili i ka shprehur mbështetjen atij për të vijuar garën deri në fund. Të nesërmen e kësaj dite, të premten më 15 prill, teksa ecte rrugës për në Rektorat tek Sheshi “Nënë Tereza”, e njëjta bandë që një ditë më parë kishte kërcënuar akademikun Koni, duke i kërkuar të tërhiqej nga gara, ndaloi edhe rektorin aktual Dhori Kule. Me tone kërcënimi, banda i ka kërkuar Kules të ndërpresë urgjentisht çdo lloj mbështetjeje ndaj akademikut Koni përndryshe jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik.