Real Madrid nuk heq dorë nga Neymar

Në 2013-ën Neymar Jr, refuzoi një ofertë faraonike nga Reali i Madridit për të firmosur me Barcelonën, duke zgjedhur skuadrën blaugrana si opsionin më të mirë për të vijuar karrierën. Por edhe pse kanë kaluar tre vite nga ai refuzim, te Reali i Madridit nuk kanë hequr dorë nga sulmuesi brazilian dhe do të bëjnë gjithçka për të bërë të tyrin 24-vjeçarin, edhe pse në këto momente t’i shkëputësh Neymarin, Barcelonës ngjason më shumë me një mision të pamundur. Presidenti i Los Blancos, Florentino Perez vazhdon të mbetet i fiksuar mbas Neymar dhe sipas gazetës, “El Confidencial” është gati të bëjë një çmenduri financiare për të transferuar në kryeqytetin spanjoll, kapitenin e Selecaos.
Kjo e përditshme ka zbuluar se gjatë muajve të kaluar ka patur një takim të dyfishtë mes numrit 1 të Realit dhe babait të Neymar, që është njëkohësisht edhe menaxheri i futbollistit. Ideja e Perez është të bindë të atin e 24-vjeçarit që Neymar Jr të transferohet në “Santiago Bernabeu”. Takimi i parë mes palëve ka ndodhur në Madrid në muajin dhjetor, ndërsa i dyti në Zurich gjatë mbrëmjes gala të Topit të Artë. Sipas “El Confidencial”, Florentino Perez në bisedat që ka patur me babain e Neymar i ka bërë të qartë këtij të fundit se do ta mbulonte me ar djalin e tij vetëm e vetëm që ylli brazilian ta vazhdonte karrierën te Reali i Madridit.