Rama dhe krimi njohin vetëm gjuhën e forcës

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PKD Mark Frroku, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me akuzat e opozites ndaj Artan Didit, Drejtorit te Pergjithshem te Policise se Shtetit, te cilin e akuzojne se ka vrare nje nga pasagjeret e autobusit qe u mor peng nga Flamur Pisli ne 28 maj 1999.

Më së fundmi, pas një hezitimi treditor policia tha dje se një kriminel shqiptar tepër i rrezikshëm është arrestuar nga policia holandeze. Lajmin e arrestimit të Arben Frrokut e deklaroi publikisht ish-Kryeministri Sali Berisha tre ditë më parë, së bashku me hezitimin dymujor të policisë që të bënte verifikimet e nevojshme sipas kërkesës së autoriteteve holandeze. Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu dje trishtimin e tij për arrestimin e partnerit të tij politik në Holandë, ndërsa mediat e qeverisë investigonin me zell lidhjet e Sali Berishës në polici dhe në agjencitë e tjera ligjzbatuese, që kishin rrjedhur informacionin sekret.
Këtë herë Frroku ishte i pafat, pavarësisht se mbështetja e Ramës dhe zagarëve të tij nuk i kishte munguar që nga dita kur u arratis. Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, ia doli të arratisej nga Shqipëria një ditë para vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit me mbështetjen dhe ndihmën e Ramës, Tahirit dhe autoriteteve të larta të Policisë së Shtetit. Ndërsa dalja e tij nga Shqipëria nuk u regjistrua në sistemin TIMS, Rama e la të lirë edhe kur policia e Malit të Zi e ndaloi për pesë orë, ndërsa kalonte kufirin drejt Kroacisë. Një kriminel të rrezikshëm, nën akuza të rënda, në prag të gjykimit përfundimtar, një polici dhe një qeveri e painkriminuar nuk do të linte kurrë të lirë të largohej as nga qyteti i tij dhe jo më nga atdheu. Për më tepër kur bëhet fjalë se ky kriminel është vrasësi i një komisari policie.
Kësaj radhe Rama ka të drejtë të thotë shprehjen e tij se “fajin e ka Berisha”, pasi kur vjen çështja tek lufta kundër krimit, korrupsionit, Sali Berisha mbetet njësoj në krye të kësaj beteje. Denoncimi publik i Berishës për hezitimin e policisë që t’i përgjigjet në kohë kërkesave të policisë holandeze, i dogji Frrokut dhe Ramës skenarin e radhës për t’i ikur veprimit të drejtësisë. Publikimi i presionit që Rama, Tahiri dhe frrokët e pushtetit po i bënin policisë, çliroi këta të fundit dhe i lejoi më së fundmi të konfirmonin se Renato Xhepa është Arben Frroku, vrasësi i komisarit të Policisë së Tiranës.
Njësoj ndodhi edhe me vëllain tjetër Mark Frrokun, deputetin që është dënuar në Belgjikë për vrasje dhe trafiqe. Rama, Tahiri dhe policia për muaj me radhë fshehën vrasësin në sallën e Parlamentit dhe nuk ia dorëzonin Interpolit. Kërkesave të përsëritura të autoriteteve belge dhe Interpolit ata refuzuan t’i përgjigjen në mënyrë sistematike, derisa opozita e bëri publike çështjen dhe nuk i la asnjë alibi pushtetit që të linte të lirë vrasësin Frroku.
Rasti me Emiljano Shullazin ose Milin e partisë nuk është aspak i ndryshëm. Prej dy vitesh, Berisha, Basha, opozita, ambasadori amerikan Donald Lu dhe qindra e qindra biznesmenë e qytetarë të thjeshtë po flisnin çdo ditë për Shullazin e Ramës dhe bandën e tij që kërcënonte, vriste, shantazhonte, shpërthente tritol dhe grabiste para e prona pa fund në Tiranë dhe Durrës. Mili u arrestua vetëm atëherë kur Berisha denoncoi dhunën dhe shantazhin që banditi i Ramës kishte ushtruar ndaj dy akademikëve. Pavarësisht kësaj, jemi sërish dëshmitarë që Rama po bën gjithçka mundet për ta nxjerrë të larë Milin, sikur do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë për vëllezërit vrasës dhe çdo kriminel a qelbësirë tjetër që ka mbledhur në koalicionin e tij për të terrorizuar dhe grabitur arkën e shtetit dhe çdo pasuri të shqiptarëve.
Rama është një skandaloz dhe i pështirë në çdo gjë që thotë dhe në çdo gjë që bën, por momenti kur ekspozohet publikisht simbioza e tij me krimin, është si t’i këputësh krahët dhe t’i presësh këmbët. Pushteti i tij mbahet vetëm nga forca e bandave dhe e krimit. Frrokët, Shullazi janë vetëm pak prej ushtrisë kriminale që ka shpërndarë në mbarë vendin për të kultivuar dhe trafikuar drogërat, për të grabitur dhe terrorizuar shqiptarët. Fakti që Rama nuk ia fsheh dot shqiptarëve lidhjet e tij me krimin dhe mbështetja e tij ndaj vrasësve dhe kriminelëve të rrezikshëm është kaq demonstrative, duke urdhëruar deri edhe policinë që t’u hapë kufirin, është njëherësh mesazhi publik që ai ka për ushtarët e tij se do të përdorë çdo gjë që ka dorë për t’i çliruar nga akuzat, për t’i ndihmuar t’i ikin drejtësisë dhe deri t’i sistemojë personalisht në qeli VIP-ash.
Kapja e kriminelëve është detyrë e qeverisë dhe e policisë. Kur qeveria dhe policia bëhen palë me krimin, shqiptarët duhet të nxitojnë të marrin nën kontroll edhe qeverinë, edhe policinë. Kjo është detyrë kombëtare për të mbrojtur shtetin, që ky i fundit të rikthehet pas kaq vitesh dhe të mbrojë qytetarët. Rama dhe kriminelët njohin vetëm gjuhën e forcës.