Pse u fsheh për dy muaj arrestimi i Frrokut në Holandë?

Arben Frroku, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj është arrestuar në Holandë. Autoritetet holandeze konfirmuan dje ndalimin e Arben Frrokut. Sipas burimeve, Frroku është ndaluar para pak ditësh me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Por autoritetet vendase dyshojnë se ky është pikërisht i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013. Të njëjtat burime thanë se, ai është ndaluar në aeroportin Shiphol të Amsterdamit dhe është akuzuar për vënie në përdorim të dokumentave dhe identiteteve të falsifikuara.
Ish-Kryeministri Berisha e deklaroi katër ditë më parë se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut. Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.
Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Të njëjtat burime thanë se, pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve belge dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013, por Prokuroria apeloi vendimin. Pak ditë para se Apeli i Krimeve të Rënda të jepte vendimin me burg përjetë për Frrokun, ai u largua jashtë vendit. Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Prokuroria renditi provat, të cilat në harmoni me njëra-tjetrën, provonin më së miri tej çdo dyshimi kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohej i pandehuri Arben Frroku.
Së pari, u identifikua motivi i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjen.
Së dyti, u provua i gjithë mekanizmi i kryerjes së vrasjes, si numrin e personave, mjetet e përdorura, intinerari i ndjekur prej tyre.
Së treti, në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka dhe kamerave të sigurisë në vendin ku u vra Komisar Lamaj u provua se, Arben Frroku ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka qëlluar mbi të.
Së katërti, akuza ka mundur të rrëzojë alibinë e të pandehurit mbi udhëtimin e tij drejt Greqisë ditën e vrasjes së Dritan Lamaj.
Së pesti, në bazë të eksperimentit u provua se autori mund të largohej nga vendi i krimit drejt pikës kufitare të Kapshticës në Korçë, në kohën e llogaritur.
Vendimi i Gjykatës vjen pas disa seancash shtyrje për shkak të mosparaqitjes së avokatëve dhe vetë të pandehurit.
Në datën 3 prill të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi të shpallë të pafajshëm biznesmenin Frroku, duke rrëzuar të gjithë pretendimet e Prokurorisë.
Kur kanë kaluar më pak se 77 ditë nga lirimi i Frrokut, është Gjykata e Apelit, ajo që vendos se ai duhet të rikthehet në burg, për vrasjen e 24 shkurtit 2013, ku mbeti i vdekur Komisar Dritan Lamaj.

Berisha: Frroku i arrestuar prej 2 muajsh në Holandë, Tahiri nuk dërgonte dosjen

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi para katër ditësh në një intervistë në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit se, ka informacione për arrestimin e Arben Frrokut në Holandë, të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, por nuk dërgohen informacione nga autoritetet shqiptare. “A e dini që ka dy muaj që thuhet se, është arrestuar Arben Frroku dhe Saje qorri nuk çon të dhënat. I bëj thirrje kryeprokurorit të lidhet me prokurorin e Holandës”, u shpreh Berisha në emisionin “Studio e Hapur”.
Pas arratisjes së Frrokut, ish-Kryeministri Berisha deklaroi se ky ishte një pakt i Ramës, duke e ekzekutuar për herë të dytë komisarin Dritan Lamaj. “I dhanë pafajësinë për vota vrasësit të komisarit Lamaj. Arben Frroku, pas përmbushjes së misionit, arratiset! Apeli sot e dënoi me burg përjetë! Edi Rama me gjykatësit e Partisë i dha pafajësinë vrasësit të komisarit Lamaj, Arben Frrokut dhe i ngarkoi blerjen e votave me paratë e krimit në rrethin e Pukës. Dy ditë para zgjedhjeve, pasi kreu misionin, Rama e nisi atë për në Kubë. Në arrati e sipër Arben Frroku u ndalua nga policia në kufirin midis Malit të Zi dhe Kroacisë, por pasi Sajmir Shullazi i konfirmoi pafajësinë, Frroku vazhdoi i qetë rrugën për në ishullin e Karaibeve. Gjykata e Apelit e njoftoi në mungesë dënimin përjetë për vrasjen e Komisarit Lamaj. Kjo ishte një lojë e Edi Ramës me kriminelë, vrasës si Arben Frroku duke ekzekutuar për së dyti në detyrë komisarin Dritan Lamaj!”, shkruante Berisha në reagimin e tij në Facebook.

Partia e Frrokut aleate me PS-në e Ramës

Në zgjedhjet e vitit 2013, PS bëri koalicion me Partinë Kristian Demokrate të Mark Frrokut dhe Arben Frrokut ku si rezultat i mbështetjes nga Rama, Mark Frroku u zgjodjh deputet. Edhe pas zgjedhjeve, Partia e Frrokut ishte aleate e PS-së.
Vëllai i Arben Frrokut, deputeti Mark Frroku, i cili mbante dhe postin e kreut të Partisë Kristian Demokrate rezulton të jetë dënuar me 10 vjet burg në mungesë nga një gjykatë belge për akuzën e vrasjes. Në janar të vitit 2014, mediat belge kanë publikuar lajmin dënimit me 10 vite burg të deputetit të mazhorancës Mark Frroku në vitin 2010. Deputeti shqiptar Frroku akuzohet për vrasjen e bashkëkombasit të tij, Aleksandër Kurti, pasditen e 5 marsit 1999. “Në Bruksel i akuzuar, në Shqipëri deputet”, e titullonte lajmin faqja online belge Nord Eclair.be.
Në shkrim thuhej se, “i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, Mark Frroku rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh”. Mediat belge shkruanin se ai duhet të rigjykohet në muajin shkurt 2014 para Gjykatës Penale të Nivelles pas Apelit të Gjykatës së Brukselit, pasi Froku kishte fituar lirinë para se çështja ndaj tij të shkonte në gjykatë dhe ishte larguar drejt Shqipërisë, ku aktualisht jeton.
Megjitëse Interpoli belg kishte dërguar dy kërkesa për ekstradimin e Frrokut, ato u mbajtën të fshehura nga Rama. Pas presionit të Këshillit të Europës, Rama u detyrua të nxjerrë kërkesat e Interpolit për të nisur hetimet ndaj Mark Frropkut. Tashmë Frroku ndodhet në burg.

Frroku u “tradhtua” nga shenjat e gishtave

Interpol Haga njoftoi dje në orën 17:15 minuta Interpol Tiranën se kishte identifikuar dhe arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Frroku, të dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm. Bëhet e ditur se, Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka pasur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm dje pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare.
Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët holandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të Gjykatës.
Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Të njëjtat burime thanë se, pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve belge dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Katër ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha e deklaroi se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut. Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.

R.POLISI