PD nis organizimin për zgjedhjet, Basha: Do të nxjerrim vendin nga kriza

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur dje organizimin e partisë për zgjedhjet, si dhe prezantimin qytet më qytet dhe fshat më fshat të platformës së demokratëve. Do t’i japim mundësinë çdo qytetari, theksoi zoti Basha, të vendosë me gjykim të ftohtë mes alternativës për të nxjerrë vendin nga kriza dhe rrenës për të qëndruar në pushtet.
“Partia Demokratike ka përfunduar alternativën, programin një vit para zgjedhjeve duke shënuar kështu një tjetër standard demokratik, europian karshi qytetarëve shqiptarë. Zgjidhjet nuk lihen për çastin e fundit apo ditën e fundit të vendimmarrjes sepse pastaj shanset janë shumë të mëdha që të dalin rrena, siç dolën rrena premtimet e ‘Rilindjes’ për 300 mijë vende pune, për shëndetësi falas e për legalizim falas, për ulje taksash e energji më të lirë për gjithë shqiptarët. Pse?! Sepse nuk iu dha shansi shqiptarëve të diskutojnë vërtetësinë, përmbajtjen, zbatueshmërinë e këtyre premtimeve.
Çdo qytetar, jo vetëm demokrat, jo vetëm opozitar, por çdo qytetar do të ketë rastin dhe mundësinë të diskutojë me përfaqësuesit tanë të lartë politikë platformën, programin, alternativën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike. Dhe me gjykim të ftohtë ashtu siç i ka hije një populli europian të vendosë për të zgjedhur midis ofertës dhe rrenës. Kjo është rruga për ta europianizuar Shqipërinë, të tjerat janë broçkulla”.
Kryesia e partisë vendosi organizimin e strukturës së partisë në funksion të zgjedhjeve dhe fuqizimit të saj. Për këtë arsye do të ketë një shtim prej 14 degësh, duke e çuar në 67 numrin e tyre.
“Në mbledhjen e kryesisë u vendos fuqizimi i strukturave, riorganizimi i strukturave të Partisë Demokratike në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përfundimi i analizës në terren do të shoqërohet edhe me krijimin e disa degëve të reja, të cilat në thelb kanë fuqizimin e çdo seksioni, grupseksioni dhe degëve të Partisë Demokratike. Do të kemi një shtim prej 14 degësh, pra janë 67 degë në territor nga të cilat 35 degë, në pjesën më të madhe për shkak të ndarjes do t’i nënshtrohen edhe një procesi zgjedhor. Kjo është një parti, e cila nderon, respekton dhe përdor votën për çdo vendim. Kryesia e Partisë Demokratike mori vendim të miratojë sipas statutit të Partisë Demokratike ngritjen e degës së Partisë Demokratike në Londër, pas shumë kërkesave të anëtarëve dhe demokratëve që jetojnë në këtë metropol. U diskutua mbi propozimin tim për kuotën 35% të të rinjve në listën e ardhshme zgjedhore të Partisë Demokratike, pas një procesi, gare primare mes kandidatëve të mundshëm. Diskutim që i paraprin sigurisht një vendimmarrjeje mbi këtë propozim të kryetarit të Partisë Demokratike nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
Kryesia miratoi emërimin e kryetarit të Departamentit të Sigurisë dhe Rendit Publik, Enkelejd Alibeaj, Ardian Turku, kryetar i Departamentit të Pushtetit Vendor, Genti Malko kryetar të Departamentit të Pronave, Tomorr Alizotaj kryetar të Departamentit të të Përndjekurve Politikë, Enri Çeno kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut dhe Ervin Salianji sekretar i Aksionit Qytetar.

6 kryetarët e Departamentet të PD

Enkelejd Alibeaj, kryetari i Departamentit të Sigurisë dhe Rendit Publik
Ardian Turku, kryetar i Departamentit të Pushtetit Vendor,
Genti Malko kryetar të Departamentit të Pronave,
Tomorr Alizotaj kryetar të Departamentit të të Përndjekurve Politikë,
Enri Çeno kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut
Ervin Salianji sekretar i Aksionit Qytetar