Nishani me kreun e KE për pronat dhe Drejtësinë

Presidenti Nishani garantoi se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të realizuar me sukses Reformën në Drejtësi, duke evidentuar se palët politike kanë përgjegjësinë të ndërmarrin hapa konkrete për ndërtimin e klimës së nevojshme të besimit
Dialogu mes partive kryesore politike dhe miratimi i reformës në drejtësi përbëjnë një kriter të domosdoshëm për integrimin në BE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka ngritur në Bruksel, në takime me zyrtarë të lartë europianë çështje të rëndësishme si Reforma në Drejtësi, respektimi i të drejtave të njeriut si dhe respektimin e të drejtës së pronës.
Kreu i shtetit njohu zyrtarët europianë mbi ecurinë e reformave për pesë prioritetet kyçe, si dhe vëmendjen që i kushton Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës.
Gjatë vizitës zyrtare në institucionet e BE-së dhe NATO-s, Nishani u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin bisedoi mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin rajonal, si dhe për krizën e refugjatëve që ka prekur dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“E informova Presidentin Tusk mbi ecurinë e procesit të reformave dhe vëmendjen time personale dhe institucionale, veçanërisht ndaj Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës. Shpreha besimin se me finalizimin e Reformës në Drejtësi, Bashkimi Evropian do të mbështesë negociatat e aderimit për Shqipërinë” tha Nishani gjatë konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Tusk.
ga ana e tij, Tusk u shpreh se dialogu mes partive kryesore politike në vend dhe miratimi i reformës në drejtësi përbëjnë një kriter të domosdoshëm për të avancuar në rrugën europiane.
“Në këtë moment vendimtar kur Shqipëria po ndërrmer një reformë mjaft ambicioze në fushën e drejtësisë unë i’a bëra të qartë Presidentit sikundër edhe Kryeministrit Rama gjatë nëntorit të shkuar se bashkëpunimi ndërpartiak dhe dialogu janë pika të domosdoshëm për të avancuar në përmbushjen e ambicieve që ka vendi” tha Tusk.
Më tej, Tusk deklaroi se BE-ja vlerëson përpjeket e Shqipërisë për fqinjësi të mirë si dhe mbështetjen e saj në disa çështje madhore duke e cilësuar vendin tonë një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.
Presidenti garantoi se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të realizuar me sukses Reformën në Drejtësi, duke evidentuar se palët politike kanë përgjegjësinë të ndërmarrin hapa konkrete për ndërtimin e klimës së nevojshme të besimit për realizimin e kësaj reforme dhe të tjerave kyçe për vendin. Duke u ndalur tek angazhimi ndërkombëtar dhe rajonal i Shqipërisë, Presidenti gjeti rastin të bëjë edhe një herë thirrje ndaj autoriteteve evropiane dhe vendeve anëtare për të avancuar procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, i vetmi vend i rajonit qytetarët e të cilit kanë mbetur jashtë këtij regjimi të lëvizjes pa viza drejt BE.
Nga ana e tij Presidenti Tusk vlerësoi përparimin që ka bërë Shqipëria në 25 vjet dhe theksoi nevojën e arritjes së konsensusit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për reformat kyçe që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Presidenti Tusk ofroi gatishmërinë e tij për të asistuar në këtë proces.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga fillimet e viteve ‘90 e në vijim, ndihmë kjo që ka kontribuar në progresin e vendit dhe në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara për integrimin e vendit në union. Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç integrimit evropian dhe se kjo e bën procesin e integrimit edhe më të rëndësishëm e me vlerë për qytetarët shqiptarë.
“E falënderova Presidentin Tusk për kohën në dispozicion, veçanërisht në këto momente shumë të ngarkuara dhe intensive për atë personalisht dhe BE-në me krizën e refugjatëve, si dhe për mundësinë për të biseduar për çështjet me interes për Shqipërinë dhe mundësinë e hapjes së negociatave të aderimit në union.
Gjatë takimit pata mundësinë që t’i shpreh Presidentit Tusk, mirënjohjen e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen e madhe që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare i kanë dhënë që nga fillimet e viteve ‘90 e në vijim, për rimëkëmbjen social-ekonomike dhe zhvillimin të vendit. Falë kësaj ndihme të vyer, vendi ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, duke kaluar një nga një fazat e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe përmbushur hap pas hapi kriteret dhe standardet e kërkuara” u shpreh ndër të tjera Presidenti Nishani.
Temë e rëndësishme e bisedës ishte edhe bashkëpunimi rajonal. Nishani falenderoi Presidentin Tusk për vëmendjen që i ka kushtuar bashkëpunimit rajonal. “Në muajin nëntor të vitit të shkuar, të gjithë liderët e rajonit janë ndjerë të nderuar nga prezenca e tij dhe zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Summit-in e Jashtëzakonshëm të Procesit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë. Në këtë kontekst e sigurova se Shqipëria është e përkushtuar për të vijuar politikën e saj të konsoliduar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të mirëkuptimit në rajon” tha Nishani.
Nga ana tjetër, ai theksoi se një vëmendje të veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe nevojës së bashkëpunimit dhe koordinimit për përballimin e krizës së refugjatëve. “Përshëndeta vëmendjen që Bashkimi Evropian i ka kushtuar përfshirjes së mundshme të Shqipërisë në këtë krizë pas mbylljes së të ashtuquajturës ‘Balkan Route’. Vetëm në muajin mars të këtij viti, Shqipërinë e vizituan tre komisionerë evropianë, Mogherini, Avramopoulos dhe Hahn. Ripërsërita qëndrimin dhe gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të bashkërenduar evropiane, proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet që vendi ka” u shpreh ndër të tjera Nishani.

Arben Shahini