Ballina Sport Milan, 30 vite, 820 milionë euro shpenzime

Milan, 30 vite, 820 milionë euro shpenzime

Milani është në momentin më të vështirë të tij në 30 vitet e presidencës së Silvio Berluskonit. Në aspektin sportiv, skuadra kuqezi edhe këtë vit mbeti jashtë Ligës së Kampioneve, ndërkohë që me dëshpërim po kërkon pjesëmarrjen në Europa League. Ndërsa në aspektin financiar gjërat janë akoma më keq.
Në bilancin e vitit 2015, Milani rezulton me një humbje prej 89.3 milionë eurosh, ndërkohë që shifra e shpenzuar vitin e kaluar nga Berluskoni ishte 150 milionë euro. Por problemi nuk është vetëm viti 2015. Që nga viti 1986 e deri tani, kompania FinInvest, që zotëron 99.9% të Milanit, ka investuar në forma të ndryshme një total prej 820 milionë eurosh. Më e keqja është se gjatë kësaj periudhe, Milani vetëm në 3 raste e ka mbyllur bilancin e tij me fitim. Hera e fundit që ka ndodhur kjo ishte në vitin 2006, me një fitim prej 11.9 milionë eurosh, kur Milani lejoi largimin e Shevchenkos te Chelsea.
Sigurisht, nuk mund të mohohen sukseset dhe trofetë e fituara nga ky klub në arenën italiane dhe atë ndërkombëtare, por situata e viteve të fundit ka bërë që ato të harrohen disi, ndërkohë që raporti me tifozerinë është përkeqësuar. Milani tashmë e ka humbur vendin e tij në elitën e futbollit evropian, duke ia lënë atë Juventusit, që ka siguruar të ardhura prej 328 milionë eurosh, 100 milionë më shumë se milanezët, që në vitin 2015 regjistruan të ardhura prej 219.7 milionë eurosh.

Exit mobile version