Kulla për Shullazin, pallati për “Hakmarrjen”

Edi Rama po fsheh planin e tij për të kthyer në pallat fushën tek aneksi i stadiumit “Qemal Stafa”, për të ndërtuar një kullë betoni ku besohet se kumbari ka bashkuar interesat e dy bandave të tij të preferuara, të Shullazit dhe “Hakmarrjes për Drejtësi”.
PD denoncoi disa ditë më parë se, Rama ka planifikuar që një truall të rëndësishëm në Tiranë, aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” ta vërë në dispozicion të një prej bandave kriminale. Zonën që ishte parashikuar si lulishte e kënd lojërash, Rama po kërkon ta bëjë kullë betoni për bandën tjetër të preferuar.
Partia Demokratike vijoi dje denoncimin e kësaj afere, ndërsa bëri të ditur se përmes këtij projekti, Rama po synon t’u shërbejë interesave të dy prej bandave më famëkeqe e pranë tij, atë të Shullazit dhe “Hakmarrjes për Drejtësi”.
Përmes një deklarate për shtyp, kreu i Departamentit të PD për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj denoncoi heshtjen e Ramës në lidhje me këtë aferë dhe lidhjet e tij me bandat, për të cilat ka vendosur betonizimin e hapësirës që ishte destinuar për kënd lojërash.
Më parë, kur bashkia drejtohej nga Basha, kjo zonë ishte parashikuar të bëhej lulishte, me kënd lojërash për fëmijët në shërbim të komunitetit. Por Edi Rama e ka fshirë këtë projekt dhe ka në plan që t’ia japë bandës tjetër të preferuar, për të ngritur selinë e saj qendrore. Bëhet fjalë për këtë truall që, në zemër të Tiranës, që nga lulishte jo vetëm për banorët e zonës, por për mbarë qytetarët, shndërrohet në kullë betoni, kullë përfitimi, kullë zhvatjeje e korrupsioni.
“Ne e denoncuam dy ditë më parë këtë projekt kriminal të Edi Ramës. Ai heshti. Heshti, sepse ai është arkitekti i zhdukjes së kësaj hapësire, i kthimit të saj në një masiv betoni për interesat e tij dhe të bandave të tij. Kjo fushë që shihni në ekran, ishte parashikuar të bëhej lulishte dhe ishte përfunduar projekti i saj nga bashkia e drejtuar nga z. Basha. Një projekt që është hedhur poshtë tashmë dhe ku pritet të mbillet nga Edi Rama pallati i bandave”, u shpreh Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të mbrojtur interesat e vendit kundër oligarkisë e bandave në pushtet.
“Edi Rama vazhdon kështu pa u ndalur në trajtimin e Tiranës si plaçkë, në ndarjen e trojeve më të çmuara të qytetit për klientët dhe banditët e tij. Qytetarët e Tiranës nuk mund të lejojnë që Edi Rama t’u marrë fushat, hapësirat, liqenin, parkun, stadiumin, për të ushqyer bandat dhe klientelën e tij. Është koha e një bashkimi të fuqishëm kundër këtij sundimi kriminal”, bëri të ditur kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj.

Arben Shahini