Ballina Aktualitet Heroina e Afganistanit kalon nga Shqipëria për në Europë

Heroina e Afganistanit kalon nga Shqipëria për në Europë

Shqiptarët kontrollojnë tregun e heroinës që vjen nga Afganistani në Turqi dhe që më pas transportohet për në vende të ndryshme të BE-së. Kjo është ajo që raporton media prestigjioze “Vice”, në një reportazh publikuar sot kushtuar rrugës së heroinës nga Afganistani në Britani. Vice citon një ish-drejtues policie në Turqi, i cili shprehet se në shtetin evropiano-aziatik, janë bandat shqiptare ato që kanë marrë në dorë kontrollin e tregtinë e heroinës.
Për vite me radhë, bosët e vërtetë të tregtinë së heroinës kanë qenë shtetas turq që jetonin në shtete të ndryshme të Evropës, thotë ai, duke shtuar se tani janë grupet shqiptare të krimit ata që kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të biznesit të heroinës në Turqi. “Paratë që fitohen nga tregtimi i heroinës, tani po investohen në biznese të ligjshme, si kazinotë”, tha ish-shefi i policisë, që ka preferuar të ruajë anonimitetin.
Pas hyrjes në Turqi, çdo sasi heroine që nuk është zbuluar dhe konfiskuar vijon përgjatë rrugëve të ndryshme të kontrabandës në Evropën Perëndimore, përmes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, thekson “Vice”.
Ndërkohë, trafiku i drogës vazhdon pa ndërprerje nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak kohësh, policia italiane zbuloi një avion me drogë në Torino që ishte nisura nga Shqipëria. Hetimet e Antimafias së Torinos pritet të shtrihen edhe në Shqipëri. Autoritetet italiane besojnë se, një prej drejtuesve të këtij rrjeti gjendej në vendin tonë. Ai siguronte drogën dhe pistën ku duhej të ulej avioni. Hetuesit italianë kanë provuar se një ngarkesë është arritur të kalohej në ditët e para të qershorit të këtij viti, por ka dyshime se janë nisur edhe ngarkesa të tjera.
Hetuesit italianë dyshojnë se avioni me drogë nisej nga Vlora. Ky fakt përforcohet edhe nisur nga vendlindja e dy të arrestuarve shqiptarë. Rruga tjetër, e planifikuar për më 1 shtator dështoi, për shkak të një problemi në pistën e Torre Sant Andreas. Sipas policisë italiane, dy shqiptarët Maksim Llanaj e Fitor Aliaj dhe dy italianët Paskuale D’Ambrozio e Rozario Kampizi, të arrestuar për trafikun e drogës me avion ishin emra të njohur për hetuesit italianë, pasi kishin precedentë penalë. Gjatë bllokimit të avionit u sekuestruan gjithashtu dhe 80 kilogramë marijuanë, ndërsa bëhet e ditur se për çdo kilogram drogë fitimi ishte 2500 euro. Një fitim i konsiderueshëm, duke llogaritur se benzina për një udhëtim vajtje ardhje ku dhe lihej ngarkesa kushtonte 450 euro.
Grupi kriminal vepronte në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, ku një nga protagonistët kryesorë të trafikut kishte detyrën për të paketuar drogën dhe për ta transportuar atë në Itali. Urdhërat dhe porositë vinin me anë të telefonit nga Gatinara dhe korrieri fluturonte në Leçe e më pas në Shqipëri. Përballë një fitimi prej 2500 eurosh për çdo kilogram marijuanë, shpenzimet për menaxhimin e avionit të lehtë ishin shumë modeste, pasi vetëm me 450 euro karburant vinte dhe shkonte nga Pulia, ku zakonisht bënte uljen përfundimtare. Pronari i avionit të lehtë, Dambrozio është gjithashtu dhe pronar i një restoranti, ku ka dhe lojëra fati. Policia italiane vazhdon hetimet për të verifikuar, nëse anëtarët e bandës punonin dhe për organizata të tjera si dhe për të identifikuar anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

Exit mobile version