Freedom House: Liria e medias në Shqipëri, e përkeqësuar

Organizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë. Në raportin e kësaj organizate, të publikuar të mërkurën, Kosova radhitet në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 106-të, me 51 pikë. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq.
Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Nga vendet e rajonit, vetëm Maqedonia mbetet prapa Shqipërisë. Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova ishin radhitur në vendin e 98-të. Në mesin e vendeve të Evropës Juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.
Maqedonia bashkë me Turqinë, klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë. Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se, dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015, por po ashtu kanë ndikuar edhe mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.
Në Serbi, shumë gazetarë kanë pësuar sulme fizike, gjë që ka ndikuar në shtimin e auto-censurës. Serbia ka shënuar rënie në renditje për shkak të retorikës armiqësore të qeverisë së Aleksandër Vuçiçit kundrejt gazetarëve hulumtues, censurës dhe zvogëlimit të mundësive për raportim kritik e të pavarur.
Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë, kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar. Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre ndaj normave evropiane për median e lirë e të pavarur.
Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.
Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t’i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet. Sipas Freedom House vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë.