ERE konfirmon abuzimet e qeverisë, çmimi i energjisë u rrit me rreth 13 për qind

Qeveria rriti çmimin e energjisë për qytetarët me rreth 13% më shumë gjatë vitit 2015. Partia Demokratike iu referua dje raportit të Entit Rregullator të Energjisë, sipas të cilit çmimi i energjisë për konsumatorët u rrit në të kundërt të premtimit të qeverisë që pretendonte se do të ulte nivelin e tarifave. Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Jorida Tabaku publikoi të dhënat që tregojnë se si qytetarët shqiptarët paguan më shumë edhe pse harxhuan më pak energji elektrike.
“Në fillim të vitit 2015, opozita kritikoi ashpër qeverinë sepse rriti çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe gjithashtu për bizneset. Na akuzuan se opozita po mashtronte, sepse çmimi real i energjisë elektrike po ulej.
Realiteti është plotësisht i kundërt dhe raporti i ERE është rikujtesa për çdo shqiptar që sot paguan një faturë më të hidhur për energjinë.
Sipas ERE, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët u rrit me rreth 13 për qind gjatë 2015. Ky raport thekson se të gjithë tarifat e energjisë u rritën për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se më shumë se gjysma e konsumatorëve të energjisë elektrike që harxhojnë më pak se sa 300 kv, pra, 56% e familjeve shqiptare kanë paguar mesatarisht 6% më shumë se sa në vitin 2014. Një familje e varfër, që jeton me më pak se 5 USD në muaj ka paguar falë të ashtuquajturës reformë mesatarisht 9.52 lekë për kilovat më 2015, ndërsa më 2014 ajo paguante mesatarisht 8.89 lekë për kilovat.
Tabaku citoi se raporti i ERE, nxjerr edhe një herë në pah gënjeshtrën qeveritare se çmimi mesatar do të ulej për të gjithë konsumatorët. “Duke faktuar edhe një herë se sot të gjithë konsumatorët, biznese apo familje, paguajnë 11.22 lekë/kilovat nga 9.22 që paguanin më parë.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët janë sot peng i një aksioni që mbahet si flamuri i qeverisë, ku punonjësit e OSHEE u shndërruan në policët që burgosnin qytetarët për mospagimin e energjisë. Ndërkohë që qeveria raporton se ka ulur deficitin e OSHEE përmes kërbaçit ndaj qytetarëve më të varfër dhe të pambrojtur të vendit, raporti ERE edhe një herë nxjerr zbuluar propagandën”, tha deputetja demokrate.
Ajo theksoi se është e vërtetë që OSHEE ka arritur të mbledhë 12.25 mld lekë detyrime të prapambetura nga ana e qytetarëve nga viti 2007-2014, por nuk duhet harruar që borxhi që kjo kompani ka krijuar nga administrimi rilindas është pak më i lartë, 13.29 mld lekë vetëm në një vit.
“Shifrat janë kokëforta, shqiptarët sot paguajnë një çmim më të lartë energjie, ndërsa OSHEE ka rritur detyrimet që konsumatorët kanë ndaj saj. Reforma energjetike ka fatin e çdo reforme tjetër të nisur nga kjo qeveri, gënjeshtër, propagandë dhe asnjë rezultat.
OSHEE nga ana tjetër mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët, duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se janë këto mbifaturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar në trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm.
“Vetëm në 3 muajt e parë të vitit kjo kompani ka tenderuar 23 mld lekë pa asnjë eficencë, e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 mln USD. Ndërkohë që, qytetarët në të gjithë Shqipërinë sot janë duke protestuar për rritjen e çmimit të energjisë për mbifaturimet, OSHEE vazhdon abuzimet, ndarjen e parave të gjakut të shqiptarëve.
Kjo është oligarkia e korrupsionit që sundon sot, me abuzime e plaçkitje në çdo degë të qeverisë, ku nga më të dalluarat në këtë drejtim mbetet OSHEE dhe sektori i energjisë”, u shpreh Tabaku.

Qytetarët të revoltuar nga faturat e kripura për energji të pakonsumuar

Qytetarët e Cërrikut protestojnë në lidhje me mbifaturimet abuzive të energjisë elektrike. Ata denoncojnë faktin se faturat e tyre të muajit mars janë më të shtrenjta se faturat e muajve të dimrit, kur shpenzimi ka qenë më i madh.
Madje, qytetarët thonë se në zyrat e pagesave u kërkojnë të paguajnë faturën, pasi muajin pasardhës fatura do u vijë me çmim më të ulët.
“Nuk e kam kaluar asnjëherë 15 mijë lekëshin. Nuk kam asgjë në shtëpi. Nuk kam as dush. Kam një televizor dhe një dritë. Si të paguaj unë tani 45 mijë lekë?”, thotë një qytetare. Ndërsa një tjetër shton: “Na ka vajtur thika në palcë të kurrizit. Pa punë unë, pa punë çuni. Nusja pa punë. Asistencë nuk marr. Me çfarë t’i paguaj unë?”.
“Gati 68 mijë lekë faturimi. Çfarë do të bëj unë tani? Muaj më parë kam paguar nga 30, 35 mijë lekë. Jemi 13 veta në shtëpi me një pension. Çfarë do të bëj me një pension unë? Do të përballemi ndryshe, sepse nuk kemi fuqi më. Kemi shkuar në fund”, denoncon një tjetër qytetar.
Një qytetare thotë se në muajt dhjetor–janar është ngrohur me energji elektrike. “Me kursim jam ngrohur, ka vajtur deri në 32 mijë lekë. Këtë muaj më ka ardhur 42 mijë lekë”.
Ndërsa një tjetër zonjë dëshmon se në faturë i janë shtuar në mënyrë fiktive 101 KW. “Paguaj 25 mijë lekë aktmarrëveshjen, plus energjinë elektrike, nuk e përballoj dot me asistencë. Çfarë do të hamë, vetë i katërt?”, thotë ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike Arbiola Halimi, e cila dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve të Cërrikut, tha: “Nuk janë militantë partie. Janë qytetarë që kanë një hall, që është mbifaturimi dhe është mbifaturim abuziv. Të marrin masa sepse problemi është shumë sensitiv dhe siç e thanë edhe vetë këta qytetarë masat e tjera që do të merren nuk do të jetë një protestë e thjeshtë, por do të ketë edhe bllokim rrugësh. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimet se përse është bërë ky abuzim”.

Mbifaturime edhe në Lezhë, faturat e energjisë me nga 200 kw më tepër

Banorët e Lezhës ankohen prej muajsh për fatura të larta nga OSHEE. Mbifaturimet sipas tyre janë abuzime që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët ankohen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike dega në Lezhë, Paulin Marku, pa nga afër situatën e rënduar në sportelet e OSHEE-së, ku qytetarët shprehnin revoltë në lidhje me abuzimet që u bëhen prej kohësh faturave të tyre të energjisë. Qytetarët ankohen se nuk gjejnë zgjidhje edhe pas ankesave, të cilat i dorëzojnë zyrtarisht, madje ata denoncojnë edhe faktin se sahatet e tyre nuk vëzhgohen nga asnjë faturist, duke drejtuar vëmendjen nga shteti, i cili sipas tyre po u vjedh hapur. “Faturën nuk e kam paguar sepse kam 200 kw më tepër”, tha një qytetar.
“60, 70, 80 më vjen fatura çdo muaj. Çdo herë marr borxh dhe vij i paguaj”, tha një zonjë e cila priste prej orësh në radhë.
“Kam ardhur të sqarohem dhe të bëj ankesë. Këto thonë nuk e bëjmë. Duhet të shkosh në Tiranë më thanë”, ankohet një qytetar.
Ndërsa një tjetër thotë: “Përsëri kanë bërë të njëjtin kalim kur unë u ankova për mbifaturimin. E njëjta gjë më ka ardhur në muajin mars. Asgjë nuk po gjen zgjidhje. Më thanë se do të më sillnin mesazh për problemin e mbifaturimit. Nuk erdhi asnjë mesazh, as kontroll, asgjë. Ne nuk dimë më ku të shkojmë, ku të mbytemi. Na thonë shko tek drejtori, ai nuk është. Kthehemi prapë këtu, këto nuk na zgjidhin gjë”.
“870 kw mbifaturim më ka ardhur këtë muaj, ja fatura, e kam parë numrin e sahatit e kam sjellë kopje, kam depozituar ankesën, prej dy javësh. Nuk ka ardhur askush as me pa sahatin. Ka ardhur një elektriçist në fillim të muajit, por ata e heqin atë që ka parë sahatin. Këtu i kam të gjitha të dhënat që i kam sqaruar dhe në kërkesë. Këto punonjëset më thonë ankohu, por ku? Ka dy-tri javë që është bërë ankesa, por nuk vjen kërkosh”.
Një qytetar denoncon: “692 kilovat më ka ardhur, nga 400 që shënon sahati. Këta punonjës nuk japin asnjë përgjigje asnjë sqarim”.
“Mbifaturimin ma kanë bërë dhe në dhjetor. Unë jam klient i rregullt. Shteti nuk duhet të na vjedhë. Në qoftë se shteti ka nevojë për lëmoshë ia japim, por jo të na vjedhë. Drejtori më thotë pas 60 ditësh do të vijmë ta verifikojmë. Pas 60 ditësh unë nuk e di ku do të jem. Ta verifikojnë sot nesër, jo kaq vonë”, shprehet i revoltuar një banor.
Nisur nga shqetësimet e shumë qytetarëve të Lezhës, kryetari i PD-së së Lezhës Paulin Marku, ishte tek operatori i Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, shërbimi ndaj klientit.
Situata është dramatike, tha ai, këtu është një korrupsion i paparë, një hajdutllëk, vjedhje masive e gjithë qytetarëve të Lezhës.
“Unë vetë me sytë e mi e pashë që qytetarët ankohen për mbifaturime deri në 897 kw një familje. Familjet e tjera kishin mbifaturime të përsëritura nga janari, shkurti dhe përsëri marsi. Desha të marr kontakt dhe me drejtuesin e degës së OSHEE, pavarësisht se është një njeri i emëruar politikisht nga Fieri dhe vjen t’u shërbejë qytetarëve në Lezhë. Besoj se këto emërime politike janë shkatërruese jo vetëm për Operatorin e Shpërndarjes, por për të gjithë qytetarët e Lezhës, të cilët nuk kishte asnjeri t’i priste as tek Operatori i Shpërndarjes, as tek Kujdesi ndaj Klientit dhe as tek zyra e drejtorit. Qytetarët janë të irrituar sepse çdo ditë paguajnë mbifaturim të energjisë elektrike. Një shqetësim tjetër i ngritur nga qytetarët, është fakti që ka mbi 15 lëvizje të specialistëve të OSHEE të zonës që janë larguar nga puna dhe faturat bëhen aforfe. Asnjeri nuk shkon të shohë sahatin, vetëm thjesht regjistrohen për të paguar para. Kjo është një situatë që duhet të merret në konsideratë sa më parë nga Ministria e Energjetikës, OSHEE sepse është një vjedhje e hapur e gjithë qytetarëve të Lezhës”, tha Marku.

Arben Shahini