Edi Rama lideri më kot në Europë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama cilësohet si lideri më i papërfillshëm e më i dobët në Europë. Vlerësimi vjen nga revista prestigjioze “Politico”, e cila njihet gjerësisht si një organ mediatik afër Bashkimit Europian. Në një artikull të titulluar “Matrica e pushtetit: Të rendisësh liderët dhe ambasadorët e Europës”, revista e cilëson Ramën si liderin më të parëndësishëm në Europë. Njësoj si ai konsiderohet edhe ambasadorja e Shqipërisë në BE, Suela Janina. Në këtë renditje Rama figuron edhe më poshtë se lideri autoritar i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen të zërë faqet e para të gazetave botërore duke i dhënë këshilla deri dhe superfuqive botërore për sfidat dhe politikën ndërkombëtare. Nga deklaratat për Trump tek letra drejtuar ministrit britanik të Drejtësisë Michael Gove, kreu i qeverisë shqiptare është përpjekur të gjejë hapësirë në mediat ndërkombëtare. Por europianët duket se e kanë tashmë një vlerësim për Ramën dhe këshillat e tij.
Renditja është një shuplakë e fortë për ambicien e vetëshpallur ndërkombëtare të Ramës. Sipas “Politico”, renditja paraqet se cilët liderë kombëtarë janë efektivë në kombinimin e forcave me ambasadorët e vendit të tyre në Bashkimin Europian për të siguruar pushtet dhe influencë brenda BE. Sipas kësaj renditjeje Edi Rama rezulton i fundit, madje më poshtë edhe se Gruevski, lideri autoritar i Maqedonisë i urryer në Europë.
Sipas revistës në vendin e parë si udhëheqësja më e rëndësishme në Europë renditet Angela Merkel. Pas Kancelares së fuqishme gjermane, në vendin e dytë vjen Kryeministri britanik, David Cameron dhe në vendin e tretë Francois Hollande. Në fund të artikullit “Politico” jep edhe metodologjinë e përdorur për vlerësimin e liderëve europianë, duke marrë në analizë shumë aspekte. Renditja paraqet se cilët lidera kombëtarë janë efektivë në kombinimin e forcave me ambasadorët e vendit të tyre në Bashkimin Europian për të siguruar pushtet dhe influencë brenda BE. Sa i përket kryeministrave dhe presidentëve matrica u përgjigjet pyetjeve të tilla si:

A kanë një qeveri stabël?

A e qeverisin vendin dhe a e përcaktojnë axhendën e tij politike?
A kanë këta udhëheqës një strategji koherente dhe pozita të forta negociuese në Europë?
Kjo renditje në fund të listës për Ramën, vjen dhe në një moment kur Kryeministri shqiptar është shfaqur shpesh në mediat ndërkombëtare, sidomos për deklaratat e ashpra kundër Donald Trump apo së fundi kundër ministrit britanik të Drejtësisë, Michael Gove.