Djali i hallës së Beqajt tek koncesionet në Shëndetësi

Koncesionet miliona dollarëshe të Ministrisë së Shëndetësisë çojnë në Prokurorinë e Tiranës zyrtarë të lartë të kësaj ministrie. Pas dëshmisë së zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ditën e martë, personat e tjerë që do të merren në pyetje janë edhe Genci Byrazeri, Arben Gjata dhe Petro Mersini, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Genci Byrazeri është edhe djali i hallës i ministrit Beqja. Pavarësisht këtij konflikti interesi, Byrazeri ka marrë pjesë në koncesionet e dhëna miliona dollarëshe, ndërkohë që nga vetë ministria nuk ka pasur ndonjë reagim për këtë çështje shqetësuese, e ngritur shpeshherë nga opozita dhe mediat.
Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka sekuestruar disa materiale në Ministrinë e Shëndetësisë, që kanë të bëjnë pikërisht me tenderat e check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Burime nga grupi hetimor u shprehën se do të merren në pyetje të gjithë zyrtarët që kanë firmosur për këto koncesione dhe nuk është i përjashtuar askush. Hetimi për këtë çështje filloi kryesisht nga Prokuroria, pas denoncimeve nga opozita në media për shkelje ligjore në këto tendera.
Ende nuk dihet nëse këto thirrje në Prokurori janë thjesht për të krijuar pak idenë se po hetohet, apo vërtet do të ketë përgjegjës përpara ligjit.
Koncesionet qindra milionë euro të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të Prokurorisë që në dhjetor të vitit të kaluar, e cila zyrtarisht thotë se ka regjistruar procedimin penal. Hetimi fillimisht ka nisur në njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka si objekt të punës së saj hetimin e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të zgjedhurit vendorë.
Në koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ndër të tjera dyshohet se janë implikuar edhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni. Kjo është arsyeja përse hetimet janë nisur nga njësia Antikorrupsion. Mësohet se, fillimisht çështja penale është regjistruar me akuzën e korrupsionit të kryer nga zyrtarë të lartë, por pa emra personash konkretë.
Kompania fituese e koncesionit të hemodializës, “Evita sh.p.k” përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD, do të hetohet gjithashtu nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas një investigimi, kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj, fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing & Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit do të jetë gjithashtu pjesë e këtyre hetimeve.
Burime të Prokurorisë konfirmojnë se në fokus të hetimeve do të jenë edhe një sërë tenderash të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe veçanërisht ligjshmëria e lejeve për importin e barnave që vetë ministri Beqja ka dhënë për disa kompani farmaceutike që operojnë në vend.

R.POLISI