Berisha përshëndet Lumturimin e 38 martirëve nga Papa

Ish-Kryeministri Berisha vlerësoi dje, dekretimin nga ana e Lumturimit të Imzot Vincenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë të kalvarit të egër komunist. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha shprehet:
“Është një ditë historike për katolikët shqiptarë, mbarë kombin shqiptar dhe krishtërimin në botë. Papa Francesku dekretoi sot Lumturimin e Imzot Vencenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë të kalvarit të egër komunist të Kishës Katolike të Shqipërisë, për sakrificën e tyre sublime në mbrojtje të vlerave hyjnore të besimit të tyre tek Zoti, Krishti Mbret. Kjo është mirënjohja dhe vlerësimi më i lartë papal për sakrificën e klerikëve martir shqiptarë, kontributin e madh të tyre në krishtërimin botëror. Ky dekret është një mirënjohje e veçantë për punën e jashtëzakonshme që meshtarët shqiptarë, klerikët katolikë bënë gjatë këtyre 25 viteve në studimin, qëmtimin, vërtetimin e qëndresës dhe veprës së pavdekshme të 38-40 martirëve të Kishës Katolike shqiptare. Me këtë rast le t’i shprehim ne mirënjohjen më të thellë Papa Franceskut për dekretin e Shenjtërisë së tij, historik për katolikët shqiptarë, kombin shqiptar në tërësi dhe mbarë krishtërimin.
Papa Françesku firmos dekretin e martirizimit të 38 klerikëve të Kishës Katolike shqiptare të vrarë nga komunizmi ndërmjet viteve 1945-1974. Njoftimi është dhënë nga imzot Angelo Massafra, kreu i Konferencës Ipeshkvnore. Në audiencën që Papa i ka dhënë Kardinalit Amato, Prefekt i Kongregatës për Shenjtërit, ka autorizuar shpalljen e dekretit për “martirizimin e Shërbëtorit të Hyjit Vinçenc Prenushi i Urdhërit të Fretërve të vegjël dhe 37 shokët martirë të vrarë ndërmjet 1945 dhe 1974”. Janë 38, për të cilët ka mbaruar proçesi i lumturimit, proçes të cilin sot me firmën e tij e mbylli Papa Françesku. “Pontifikati i Papa Françeskut, pasurohet me martirë të rinj të shekullit XX”.