Basha: Rama, shpunësues masiv i mijëra shqiptarëve

Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të Punës, ku u tall me shqiptarët e papunë. Ai u bëri thirrje të papunëve të shfrytëzojnë këtë mundësi. Sipas Ramës në panair ofrohen 8 mijë vende të lira pune, me rrogë që shkon deri në 3 mijë euro. Ndaj deklaratave tallëse dhe qesharake të Ramës, reagoi ashpër kreu i PD, Basha, i cili në një postim në Facebook e cilësoi Ramës si personin kryesor përgjegjës të nivelit të lartë të papunësisë në vend.
“Shpunësuesi i mijëra shqiptarëve, shkaktari për mbylljen e 80 mijë bizneseve, përgjegjësi për papunësinë që ka arritur zyrtarisht 18 për qind, por që në realitet është shumë më e lartë, akuzoi sot sërish popullin e vet se është dembel dhe i pashkollë. Papunësia lidhet vetëm me rrënimin ekonomik, me taksat e larta, me krimin që sundon e mban larg investitorët, me korrupsionin pas çdo porte qeveritare, e për të gjitha këto përgjegjës është Edi Rama. Sot vetëm një kantier është në punë. Vjedhja, zhvatja, plaçkitja. Sot në punë është vetëm Rama me oligarkinë e tij që në dy vjet ka futur në xhep 2.2 miliardë euro. 88 milionë dollarë tendera për 11 miqtë e tij. 90 milionë dollarë shpenzime luksi. Ky është i vetmi prioritet i Edi Ramës, jo të sigurojë punësim dhe mirëqenie për qytetarët”, shprehet Basha në reagimin e tij.