72 pikë penalizim në Serinë B e Lega Pro

Penalizimi i Flamurtarit me heqjen e 3 pikëve në renditje gjatë këtij sezoni të Kategorisë Superiore, apo dënimet e shpeshta me zbritjen e pikëve në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar nuk duhet të përbëjnë çudi.
Në Europë ka edhe raste më të pabesueshme, me rekordin që vjen nga Italia fqinje. Sipas statistikave të periudhës nga viti 2013 deri në sezonin aktual, numri i klubeve profesioniste përtej Adriatikut ka zbritur nga 111 në 96. Por, pikët me të cilat klubet janë penalizuar kanë pësuar rritje. Të dhënat e 3-vjeçarit të fundit janë shqetësuese, duke përbërë një rekord me 72 pikë të hequra për skuadrat e Serisë B dhe Lega Pro.
Në kohën kur klubet në aktivitet kanë rënë me 13,5 për qind, pikët e penalizimeve janë rritur nga 30 në vitin 2013, në 61 dhe deri në 72 në sezonin aktual, me një rritje të pabesueshme prej 140 për qind. Plot 18 skuadra të përfshira, praktikisht një në 5 ekipe. Që futbolli në Itali është në krizë, kjo nuk përbën më lajm, por statistikat të cilat u referohen dënimeve ndaj klubeve lidhen thuajse të gjitha me faktin, se klubet nuk arrijnë të paguajnë lojtarët. Në Serinë B janë regjistruar 9 pikë penalizim: 7 për Lanciano-n dhe 2 për Novara-n. Asnjë problem në sezonin aktual në Serinë A, që vitin e kaluar u përball me dënimin e Parmës me 7 pikë, ndërsa më pas klubi pjesë e të cilit ishte edhe Andi Lila, falimentoi.
Por, kriza duket se ka mbërthyer kategorinë e tretë italiane, e njohur edhe si Lega Pro. Rasti i Riminit është thuajse i krahasueshëm me atë të Tërbunit në Kategorinë Superiore. Por, ndryshe nga pukjanët që vijojnë të dhurojnë surpriza dhe nuk janë penalizuar pavarësisht se lojtarët nuk paguhen thuajse prej startit të sezonit, ekipi italian është penalizuar me 3 pikë, pasi klubi nuk shpërndan rrogat prej tetorit 2015. Grupi i Jugut është edhe më problematik, me 9 nga 18 skuadra të penalizuara, ku spikat Catania me 10 pikë penalizim. Por, askush nuk mund të thyente primatin e Savonas, që pas 14 pikëve të hequra në Grupin B, prej disa javësh ka zbritur në kategorinë e katërt.