Inkriminimi, Rama sistemon Shullazin me qeli luksi tek VIP-at

Emiljano Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 ku ndodhej që prej ditës së arrestimit dhe është dërguar në Elbasan.

Burime nga Drejtoria e Burgjeve kanë bërë të ditur se, ai është dërguar në paraburgimin e Elbasanit, në sektorin VIP. Mësohet se Shullazi është dërguar në të njëjtin vend ku ishte Vladimir Gjuta para se të arrestohej. Ndërkaq bëhet e ditur se miku i Shullazit, Blerim Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 tek ai “Jordan Misja” ose siç njihet Burgu 313. I arrestuari tjetër, Gilmano Dani është dërguar në paraburgimin e Fushë- Krujës.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet edhe ndaj përfaqësuesit të kompanisë arabe, shtetasit Ylvi Beqja, i cili i dhuroi 20% të pronës së njohur si ish-hotel “Vollga” në Durrës, Emiljano Shullazit. Bëhet e ditur se, grupi hetimor, krahas hetimit penal ndaj Emiljano Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe kanosjes, ka bllokuar llogaritë bankare të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe përfaqësuesit të saj Ylvi Beqja në Shqipëri.

Sipas akuzës, dyshohet se prona e ish-hotel “Vollgës” është përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, ka sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare, thonë burimet.

Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe Ylvi Beqja për të dhënë shpjegime për aktin e dhurimit të 20% të pronës së kompanisë së tij Shullazit. Ky dhurim, është pranuar edhe nga vetë Beqja, i cili ka deklaruar në media se i kishte kërkuar ndihmë Shullazit për regjistrimin e pronës. Për kalimin e 20% të pronës me vlerë 700 mijë euro, Beqja ka thënë se ka marrë miratimin edhe nga kompania arabe, që ai përfaqëson në Shqipëri. Ky dhurim, sipas Beqaj, është bërë në shenjë mirënjohje për Shullazin, për ndihmën që i kishte dhënë kompanisë për regjistrimin e pronës. Ai ka deklaruar në media, se ishte i lumtur që kishte kontaktuar Emiljano Shullazin për zgjidhjen e problemeve të tij me individ dhe gjyqësorin në Shqipëri, duke arritur pas shumë vitesh të marrë pronën që kishin blerë në vitin 1994.

Në kontratat e firmosura mes kompanisë arabe dhe Shullazit, specifikohen detyrimet e palëve, ku i arrestuari për “gjobëvënie” merr përsipër regjistrimin e pronës në emër të kompanisë, zgjidhjen e konflikteve mes kompanisë arabe dhe shtetasit Zanmir Hasa si dhe marrjen e çertifikatës së pronësisë në emër të kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 18 shkurt 2013 që më pas ka vazhduar edhe me tre kontrata të tjera deri në atë të fundit që mban datën e 9 dhjetorit të 2014, ku merr me anë të dhurimit 20% të pronës. Me marrjen e çertifikatës së pronësisë, kompania arabe me përfaqësues Ylvi Beqjan i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 1749 m2 për 671 mijë euro.

Ndërkohë, hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.

Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.