Fati i Platini në KAS

Pritet që e njëjta gjykatë të vendosë sërish edhe fatin e Mishel Platinisë, i cili u përjashtua tetë vjet nga FIFA për skandalin e 2 milionë frangave zvicerane që Blater i kishte dhënë atij. KAS-i do të ketë sërish përballë UEFA-n, ashtu si në gjyqin që u bë për Kombëtaren shqiptare. Ndryshe nga hera e parë është përballë vetë Platini, ndërsa atëherë ishte institucioni që ai drejtonte. Betejën e parë me Gjykatën e Arbitrazhit e humbi, tani mbetet rezultati i së dytës.
Megjithatë, për të shkuar te përballja e dytë, KAS-Platini duhet pritur ende, pasi FIFA nuk e lejon anashkalimin e Komisionit të Apelit të saj. Platini kërkon që të përshpejtojë çështjen për të qenë një nga kandidatët e mundshëm për fronin e FIFA-s, por këta të fundit duket se po bëjnë gjithçka për ta shmangur. Francezi kërkon që të marrë një përgjigje përfundimtare mbi pezullimin e tij përpara datës 26 shkurt, në të cilën do të zgjidhet edhe presidenti i ri i FIFA-s.
Platini fillimisht duhet që të presë vendimin e Komisionit të Apelit të FIFA-s, lidhur me dënimin e tij, pastaj duhet ta dërgojë këtë çështje në KAS. Ditën e djeshme Komisioni i Apelit i ka dërguar një letër avokatit të Platinisë, në të cilën i shpjegon procedurën që duhet ndjekur. Me këto vonesa që po krijohen, ish-presidenti i UEFA-s duket se do ta ketë të vështirë për të marrë pjesë në zgjedhjet që FIFA do të bëjë për të zgjedhur presidentin e ri.