Titull i pabesueshëm

Buffon e ka nisur duke ndezur një puro, Pogba që bërtet si i çmendur, shampanja është hapur nën thirrjet; “jemi ne kampionët e Italisë”, për të bërë më pas një dush me pijen klasike të festimeve, i cili nuk ka kursyer as Massimiliano Alegrin, me lojtarët që më pas janë bashkuar me tifozët për të filluar celebrimet. Festa e titullit të pestë radhazi në Vinovo ka nisur menjëherë pas barazimit të Romës me Napolin.
Juventus është kampione e Italisë për të pestin vit radhazi. Feston titullin ndoshta më të veçantë, me bardhezinjtë që treguan se forca për të mos u dorëzuar kurrë është në ADN e kësaj skuadre. Ky është një titull vërtet fantastik e deri në kufitjtë e të pabesueshmes po të kujtosh nisjen e sezonit.
“Të flasësh për titullin tani nuk ka kuptim”, kështu deklaronte Alegri në 29 tetor të 2015, kur Juventus ishte mposhtur 1-0 nga Suassulo, klasifikimi shikonte Romën në krye me 23 pikë ndërsa Juventusi renditej në vendin e 12 me 12 pikë. Për një skuadër tjetër do të flitej për një sezon të çuar dëm, por jo për Juventusin.
Alegri fiksoi objektivin, në Krishtlindje duhej arritur me 4-5 pikë pas kreut, por Juventusi bëri akoma dhe më shumë, duke fituar 24 ndeshje në 25 të luajtura, një seri e jashtëzakonshme. E përkthyer në pikë, bëjnë 73 pikë në 75 të mundshme. Rekordet janë bërë për t’u thyer, por nuk është ilegjitime të mendosh se kjo është një seri e destinuar të mbetet e pashoqe për një kohë të gjatë. Një seri që i lejoi Juventusit të fitonte titullin 3 javë para fundit të kampionatit, pikërisht si në 2012 me Conten, titulli i parë një serie prej 5 titujsh radhazi në shtëpinë e Juventus, nuk ndodhte që nga vitet 30 që Juventusi të fitonte 5 tituj radhazi.
Në 25 javë kampionat, bardhezinjtë rikuperuan plot 25 pikë ndaj Romës dhe 21 ndaj Napolit, thjesht e pabesueshme.
Një arritje e firmosur nga Alegri, Buffon, Dybala, Mandzukiç, e Pogba, një manifestim i pastër Superioriteti, të paktën në Itali, Juventus ka bërë sërish historinë.
Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, madje dhe ato të titullit të Serisë A, me Juventusin që u kurorëzua kampione pikërisht në qytetin e përjetshëm, falë golit të Naingolan në minutën e 89-të, që i dha fitoren verdhekuqve ndaj Napolit, duke dorëzuar dhe titullin në duart e bardhezinjve, që fitojnë titullin e 32-të dhe të pestin radhazi, si askush tjetër më parë. Napoli në fakt në “Olimpico” shpërdoroi shumë për të marrë fitoren, që thjesht do të kishte shtyrë festën juventine, pasi titulli gjithsesi ishte një çështje e mbyllur.
Roma, që luajti një ndeshje përgjithësisht të kujdesshme, pati një mundësi që në minutën e parë me Salah, ndërsa pjesa tjetër e fraksionit ishte e tëra për Napolin. Jugorëve madje iu anullua dhe një gol në minutën e 26-të. Në pjesën e dytë Napoli gjithashtu krijoi shumë, dhe iu afrua golit dhe në minutat 65-të dhe 73-të me Mertens dhe Higuain, por pa mundur dot të dërgojë topin në rrjetë, gjë që bëri Naingolan pikërisht 1 minut para fundit, duke i dhënë dhe titullin kampion Juventusit.