Suksesi i rremë i OSHEE, ERE: Faturat e pambledhura u rritën me 14 milionë euro në 2015-ën

Borxhet e pambledhura të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë u rritën sërish vitin e kaluar, pavarësisht se qeveria dhe kompania e kanë trumbetuar reformën energjetike si suksesin e tyre më të madh. Përfundimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend. Viti 2015 shënoi kulmin e aksionit në sektorin energjetik. Qeveria angazhoi forcat e rendit për të ulur vjedhjet e energjisë dhe së bashku me Operatorin e Shpërndarjes miratuan një skemë, e cila u lejonte konsumatorëve të paguanin me këste faturat e prapambetura të viteve 2007-2014. Sipas skemës, çdo konsumatori debitor që do të lidhte marrëveshjen me OSHEE-n i falej deri në 80 për qind e kamatvonesës dhe i mundësohej pagesa e detyrimit të prapambetur me këste, për energjinë që kishte të papaguar nga vitet e kaluara. Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar, OSHEE grumbulloi 12.25 miliardë lekë nga faturat e prapambetura të periudhës 2007-2014. Por borxhi i pambledhur i kompanisë jo vetëm që nuk u ul, por u rrit. Arsyeja? OSHEE krijoi borxh të ri.

Shifrat

Edhe pse mblodhi 12.25 miliardë lekë borxhe të prapambetura, Enti Rregullator thotë se ndaj OSHEE u krijuan 13.29 miliardë lekë borxhe të reja. Kjo është energji që kompania e ka faturuar ndaj konsumatorëve, por nuk e ka arkëtuar. Në fund të vitit 2014, borxhet e konsumatorëve ndaj OSHEE ishin 66.86 miliarde lekë ose rreth 477 milionë euro. Pas zbatimit të skemës lehtësuese dhe aksionit të energjisë, në fund të 2015-ës shuma e borxheve ndaj OSHEE u rrit në 491 milionë euro. Kjo do të thotë se, pavarësisht aksionit të bujshëm dhe skemave lehtësuese, faturat e pambledhura të energjisë jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën me 14 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Shifrat e vitit 2015 zbehin suksesin e pretenduar të reformës dhe aksionit në sektorin energjetik. Me gjithë arkëtimet masive nga vitet e kaluara OSHEE nuk arriti të ulë malet e borxheve të pambledhura dhe kompania këtë vit nuk do të ketë luksin e skemave të tjera lehtësuese.