Shullazi transferohet nga paraburgimi tek sektori VIP

Emiljano Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 ku ndodhej që prej ditës së arrestimit dhe është dërguar në Elbasan. Burime nga Drejtoria e Burgjeve kanë bërë të ditur se, ai është dërguar në paraburgimin e Elbasanit, në sektorin VIP. Mësohet se Shullazi është dërguar në të njëjtin vend ku ishte Vladimir Gjuta para se të arrestohej. Ndërkaq bëhet e ditur se miku i Shullazit, Blerim Shullazi është transferuar nga paraburgimi 302 tek ai “Jordan Misja” ose siç njihet Burgu 313. I arrestuari tjetër, Gilmano Dani është dërguar në paraburgimin e Fushë- Krujës. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet edhe ndaj përfaqësuesit të kompanisë arabe, shtetasit Ylvi Beqja, i cili i dhuroi 20% të pronës së njohur si ish-hotel “Vollga” në Durrës, Emiljano Shullazit. Bëhet e ditur se, grupi hetimor, krahas hetimit penal ndaj Emiljano Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe kanosjes, ka bllokuar llogaritë bankare të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe përfaqësuesit të saj Ylvi Beqja në Shqipëri.
Sipas akuzës, dyshohet se prona e ish-hotel “Vollgës” është përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, ka sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare, thonë burimet.
Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe Ylvi Beqja për të dhënë shpjegime për aktin e dhurimit të 20% të pronës së kompanisë së tij Shullazit. Ky dhurim, është pranuar edhe nga vetë Beqja, i cili ka deklaruar në media se i kishte kërkuar ndihmë Shullazit për regjistrimin e pronës. Për kalimin e 20% të pronës me vlerë 700 mijë euro, Beqja ka thënë se ka marrë miratimin edhe nga kompania arabe, që ai përfaqëson në Shqipëri. Ky dhurim, sipas Beqaj, është bërë në shenjë mirënjohje për Shullazin, për ndihmën që i kishte dhënë kompanisë për regjistrimin e pronës. Ai ka deklaruar në media, se ishte i lumtur që kishte kontaktuar Emiljano Shullazin për zgjidhjen e problemeve të tij me individ dhe gjyqësorin në Shqipëri, duke arritur pas shumë vitesh të marrë pronën që kishin blerë në vitin 1994.
Në kontratat e firmosura mes kompanisë arabe dhe Shullazit, specifikohen detyrimet e palëve, ku i arrestuari për “gjobëvënie” merr përsipër regjistrimin e pronës në emër të kompanisë, zgjidhjen e konflikteve mes kompanisë arabe dhe shtetasit Zanmir Hasa si dhe marrjen e çertifikatës së pronësisë në emër të kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 18 shkurt 2013 që më pas ka vazhduar edhe me tre kontrata të tjera deri në atë të fundit që mban datën e 9 dhjetorit të 2014, ku merr me anë të dhurimit 20% të pronës. Me marrjen e çertifikatës së pronësisë, kompania arabe me përfaqësues Ylvi Beqjan i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 1749 m2 për 671 mijë euro.
Ndërkohë, hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.

Shullazi nuk ka paguar asnjë taksë për hotel “Vollgën”

Në ligjin për kalimit e pronësisë, parashikohet pagesa e taksës në rastet e dhurimit të pronës apo pasurisë së paluajtshme. Ligji përjashton nga taksa disa ente apo persona brenda familjes. Por në rastin e “dhurimit” të ish-hotel “Vollgës” në Durrës së fundi, shtetasi përfitues Emiliano Shullazi parashikohet të paguajë detyrime financiare, për pronën e fituar përmes dhurimit. ABC Neës ka pyetur pranë Ministrisë së Financave nëse shtetasi Shullazi ka shlyer detyrimet e tij, por nuk ka patur një përgjigje. Zyrtarët kanë thënë se, në ditët në vijim pritet të kemi një përgjigje.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka shtyrë vendimin për ish-hotel “Vollgën”, në një kohë që Prokuroria po heton mbi mënyrën se si ai kaloi në pronësi të Emiljano Shullazit. Gjykata duhet të ishte shprehur sot me vendim në lidhje me ankimimin e bërë nga kompania “Saudi Brothers” kundër Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit, të cilën e akuzon për falsifikim dokumentash.
Prokuroria po heton në tërësi pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, që nga zanafilla e kalimit të pronësisë tek trashëgimtarja e familjes Fortuzi. Përfaqësuesi i “Saudi Brothers” në Shqipëri, Ylvi Beqaj, është shprehur se vetëm pasi pajtoi Shullazin, ai gjeti zgjidhje të problemeve në Gjykatë e Hipotekë. Por, Prokuroria po heton edhe tre gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, sekretaren dhe kancelaren si dhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të Hipotekës së Durrësit e Tiranës, për regjistrimin e pronës.
Hetimi i nisur nga Prokuroria e Durrësit për pronësinë e ish-hotel “Vollgës” ka zbuluar shkelje të shumta që dyshohet se janë kryer jo vetëm nga trupi gjykues, por edhe nga administrata e Gjykatës. Në dosjen e Prokurorisë detajohet historia e pronësisë së Vollgës, e cila nis në vitin 1993, kur u njihet e drejta e pronësisë, trashëgimtarëve të familjes Fortuzi.
Që prej asaj kohe, kjo çështje është endur dyerve të gjykatave deri në vitin 2014, kur një pjesë e saj i është dhuruar Emiljano Shullazit, tashmë i arrestuar për gjobëvënie. Por krahas gjykimit të çështjes në shkallët e tjera të gjyqësorit, Gjykata e Durrësit ka vendosur që prona të regjistrohet në emër të kompanisë “Saudit Brothers Commercial”.

Shtyhet vendimi për hotel “Vollga”, nuk formohej trupa gjyqësore

Mosformimi i trupës gjyqësore në Gjykatën e Lartë ka shtyrë vendimin për padinë e ngritur nga Zamir Hasa në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Seanca gjyqësore pritej që të zhvillohej në ora 9:10 nën kryesimin e relatorit të kësaj çështje Xhezahir Zaganjori ku pritej të jepej një vendim, por seance u shty.
Kjo çështje, e cila ka përfshirë dhe Prokurorinë në hetime për tjetërsimin e pronësisë nga Hasa, tek kompania arabe e më pas në 2014 tek Emiljano Shullazi ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pas vendimit të administratives në Durrës që ka rrëzuar pretendimet e Hasës. Zamir Hasa ka bërë kallëzim dhe në Prokurori për pronësinë e “Vollgës” ku ai pretendon se i është marrë me anë të falsifikimeve dhe për këtë rast po hetohen dhe tre gjyqtarët të Gjykatës së Durrësit konkretisht Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura.
E ndërsa Prokuroria ka vendosur sekuestron mbi ish-hotel “Vollgën” Gjykata e Lartë ka nisur sot shqyrtimin e akimimit të kompanisë “Saudi Bradhers”, e cila akuzon hipotekën e Durrësit për falsifikim dokumentash. Çështja po gjykohet në Kolegjin Administrativ ku palët kanë paraqitur pretendimet e tyre. Por Gjykata nuk ka dalë ende me një vendim, duke e shtyrë seancën për një datë tjeter.
Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brothers Commercial Company” dhe shtetasi Zamir Hasa, prej disa vitesh ndodhen në proces për pronësinë e objektit në fjalë, Shkalla e Parë i ka dhënë pronësinë Saudi Brothers Commercial, ndërsa Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë  vendim. Çështje që ka mbërritur tashmë në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, Gjykata e Durrësit nëpërmjet vendimit ka urdhëruar Hipotekën të regjistrojë si pronar “Saudi Brothers”.
Çështja e pronësisë së “Vollgës” është duke u hetuar nga Prokuroria, pasi një nga bashkëpronarët e saj është edhe Emiljano Shullazi. Ndërkohë, nga ana tjetër, administratori aktual i kompanisë “Saudi Brothers” pretendon se një pjesë të pronës ia ka dhuruar me dëshirë Emiljano Shullazit, pasi ky i fundit e ka mbrojtur fizikisht nga kërcënimet për vrasje që i vinin herë pas here nga pala kundërshtare e përfshirë në këtë konflikt pronësie.
Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Durrësit ka proceduar për shpërdorim detyre tre gjyqtarë dhe dy punonjëse të administratës, të cilat akuzohen se me veprimet e tyre kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

R.POLISI