Shoqata e Ndërtuesve: Ligji për Dhomat e Tregtisë rëndon bizneset

Shoqata e Ndërtuesve ka kundërshtuar ashpër projektligjin, i cili parashikon anëtarësim në Dhomat e Tregtisë të Bizneseve kundrejt pagesës së një kuote. Ndërtuesit e cilësojnë këtë taksë të fshehtë për biznesin për të cilën thonë se rëndon mbi bizneset e vogla. Kuota sipas Shoqatës së Ndërtuesve mund të variojë nga 0.05 në 0.07% e xhiros vjetore. Shoqata e Ndërtuesve e kundërshton projektligjin e Dhomave të Tregtisë ku parashikohet anëtarësim i detyruar për çdo biznes dhe i kërkon Parlamentit që të mos e miratojë këtë draft.
Sipas ndërtuesve kuota e anëtarësimit do të rëndojë së tepërmi bizneset e reja, pasi vlerësohet se kuota e anëtarësimit mund të variojë nga 0.05 në 0.07% e xhiros vjetore.
“Shoqata e Ndërtuesve mendon se ky projektligj do të ketë efekte negative kryesisht tek ato biznese, të cilat do të hapen të reja, pasi që në nisje do të duhen të paguajnë një kuotë, edhe pse nuk është bërë zyrtare se sa do të jetë kjo kuotë, ajo përflitet se do të variojë nga 0.05% deri në 0.07% e xhiros vjetore të biznesit” shprehen ata.
Sipas Shoqatës së Ndërtuesve është e pajustifikueshme pagesa e një kuote në një kohë që Dhomat e Tregtisë nuk ofrojnë asnjë shërbim. “Koncepti i funksionimit të dhomave në çdo vend tjetër të botës është që ato t’ju ofrojnë disa shërbime ekstra biznesit, por në këtë projektligj i ardhur nga qeveria nuk parashikohet që asnjë nga shërbimet publike t’i delegohet Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë”.
Ligji i Dhomave të Tregtisë është kundërshtuar nga pothuajse të gjitha shoqatat e huaja të bizneseve. Aktualisht, draftligji vijon diskutimin në komisione që prej 3 muajve.