“Puka e Migjenit dhe Puka migjeniane”

Sokol GJONI

I rikthyer pas 80 vitesh si formësim i një identiteti kulturologjik, që lidhet më së shumti me skalitjen e disa personazheve të tij tipologjik dhe mishërues të kohës dhe mjedisit, monumentalizimi i poetit “të mjerimit” Millosh Gjergj Nikolla përmes skulpturës së vendosur në qendër të qytetit të Pukës, përtej vlerësimit dhe mirënjohjes qytetare për ideuesit, inicuesit dhe kontribuesit, mbart brenda vetes një ngarkesë polivalente multikontekstualizuese. I diagnostikuar me tuberkuloz, Migjeni, asokohe mësues në Vrakë dhe më vonë në shkollën “28 Nëntori” të Shkodrës, do të kërkonte pranë autoriteteve arsimore të kohës ta transferonin në Pukë me besimin se ai vis malor do të ishte kurativ, por, asnjëherë nuk e kishte menduar se në sofrën e madhe të bujarisë dhe të mikëpritjes së banorëve të këtyre anëve, mjerimi ishte kafshata që s’kapërdihej dhe që kishte damkosur me vulën e tij të shëmtueme jetën e banorëve deri në skajet e të paimagjinueshmes. Qëndrimi në Pukë, si kryemësues për afro dy vite, e ballafaqoi mësuesin-poet me një realitet dramatik në të cilin qe kredhur popullsia e kësaj treve. Nën ndikimin e fortë të mjedisit malësor erdhën nga penda e tij krijime dhe skicime që pasqyronin mjerimin dhe dramacitetin ekzistencial të këtyre zonave, si dhe nxori nga galeria e personazheve të tij bartësit e një realiteti të trishtë, duke i portretizuar të gjallë dhe realë, si personifikim substancial i çdo banori. Sot, pas 80 vitesh, busti i poetit të madh dhe përkëdhelja që i jep Lulit të vocërr, erdhën në Pukë me pompozitetin e kolltukofagëve (shprehim mirënjohjen për ideatorët dhe kontributorët) që kapardiseshin me fjalime delirante, por mesazhi që perceptohet, deskriptivisht është i trishtueshëm dhe rezonon për Pukën dhe pukjanët të njëjtin kontekst zhvillimor, social dhe ekonomik të periudhës migjeniane. Sfondi është gri. Puka qenka e dënuar të ketë një simbiozë me mjerimin. Perspektiva zhvillimore e saj, rritja dhe mirëqenia ekonomike, cilësia e jetës është një “baladë qytetase” që shoqëron gjithnjë shpresat dhe ëndërrat tona të intonuara me “meloditë e këputuna” të premtimeve dhe mashtrimeve të drejtuesve aktualë. Dhjetëra vende pune të shkurtuara, asnjë investim real, përveçse pallavra kodoshësh që mbushin me recitale ekranin televiziv lokal me premtime herë-herë haluçinante, mungesë vizioni për politika të qëndrueshme dhe iniciativa strategjike, klientelizëm në shumë shërbime publike, militantizëm dhe nepotizëm masiv në administratë, arrogancë dhe prepotencë komunikative me qytetarët, tallje dhe cinizëm me interesat komunitare, do të përbënte refrenin e qytetit tim, tashmë, jo i dyzuar mes tragjedisë dhe komedisë. Këngët e rilindjes (ringjalljes) që u kënduan monetarisht më 21 qershor 2015, sot, janë këngë që s’kuptohen, të mbushura me frymëzime që nuk frymëzojnë askënd. Varfëria rritet dita-ditës, biznesi tkurret, politikat fiskale dhe tatimore përmes rritjes po shtrëngojnë deri në falimentim sipërmarrjen e lirë, vendet e punës shkurtohen, qytetarët grabiten me fatura aforfe, arbitrariteti i institucioneve ka kapur përmasat e uzurpimit, korrupsioni dhe ryshfeti janë të dukshëm në çdo qelizë të administrimit institucional, jeta e qytetarëve kërcënohet nga oligarkia sunduese. Kjo është “kënga e dhimbjes krenare” që “drejtimi i duhur” u mësoi qytetarëve, duke e kompozuar me nota reformash e shpikjesh të pashoqe në favor të klientelës ekonomiko-kriminale. Migjeni u rikthye në Pukë. Sot, ai vëren tek kalimtarët në trotuarin para tij, se nuk ka veç fytyra të zbehta dhe sy të jeshilta, por shpresa dhe ëndrra të vrara me mendje të mpihta. Klithma simbiotike e Pukës me mjerimin është zëri që duhet të bëzajë, për t’i dhënë qytetarisht dhe përgjegjshmërisht një grusht të fuqishëm, çporrës, kësaj filozofie, me drejtues …pa krena!