Prokuroria bllokon llogaritë bankare të Beqes së Shullazit

Në vijueshmëri të hetimeve për dosjen Shullazi, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nxjerrë një urdhër sekuestrimi të llogarive të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe administratorit të kësaj kompanie Ylvi Beqja. Lajmi konfirmohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por edhe nga vetë administratori Beqja, i cili pranoi se Prokuroria ka vendosur një masë bllokuese ndaj llogarive bankare të tij.
Nga ana tjetër sipas Prokurorisë, dyshohet se prona ish-hotel “Vollga” është përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, mund të ketë sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare.
Masë sekuestroje është marrë edhe për garazhin 1200 m2 që ndodhet në zonën e “Nesharakut” në Tiranë.
Ndërkohë ende nuk ka asnjë konfirmim nga policia për sekuestrimin e hotel “Vollgës”. Edhe pse ka një vendim Gjykate për vendosjen nën sekuestro të hotel “Vollgës” ku një nga aksionerët është Emiljano Shullazi, policia ende nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vendimi i Gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë për sekuestron e hotel “Vollgës”, Policia nuk ka kryer asnjë veprim dallues që tregon zbatimin vendimit të Gjykatës së Durrësit. Boldneës.al ka publikuar disa foto ku duket qartë se nuk është vendosur asnjë shirit për të rrethuar godinën, e cila është nën sekuestro. Para disa ditësh, Prokuroria e Durrësit vendosi për sekuestrimin e ish-hotel “Vollga”, një pjesë e të cilit i është “dhuruar” Emiljano Shullazit, i arrestuar për gjobvënie dhe disa vepra të tjera të rënda penale.