Maradona, sulm ndaj Juventusit dhe Contes

Kur flet Diego Armando Maradona, të gjithë duhet ta dëgjojnë. El Pibe De Oro shigjeton pa frena Juventusin e saposhpallur kampion dhe Antonio Conten, por lëshon edhe disa “perla” për Napolin, skuadrën me të cilën ka shkruar historinë në futbollin italian. “Juvja e meriton titullin, sepse ka zhvilluar shumë ndeshje pa lënë pikë rrugës. Më duhet ta pranoj që ka fituar edhe me këllqe. Bardhezinjtë godisnin 2 herë drejt portës dhe shënonin 4 gola. Në momentet më të vështira, Juvja ka ditur t’i zgjidhë problemet. Bleu lojtarë, gjë që nuk e bëri Napoli. Sarri nuk kishte organikën e Alegrit, kjo është e vërteta”, u shpreh Maradona.
Por Maradona, nuk ka vetëm vlerësime pozitive për Juventusin, pasi sipas tij, bardhezinjtë ndihmohen edhe nga Federata Italianë e Futbollit. “Juvja ka lojtarë fenomenalë edhe në federatë dhe në sektorin e arbitrave. Kjo nuk është risi. Çfarëdo problemi që mund të ketë në fushë një lojtar i Juventusit, ai gjithmonë ka të drejtë. De Laurentiisit i këshilloj të vendosë lojtarët e tij në federatë, në mënyrë që ta respektojnë sikurse ka ndodhur me drejtues të tjerë të Napolit në të kaluarën. Vetëm në këtë mënyrë, Napoli do të ketë forcën e Juventusit. Goli që iu anulua Fiorentinës ishte një skandal. Dhe kjo ndodhi vetëm se përballë ishte fanella e Juves. Nëse Napoli nuk do të ishte në garë për titullin, Higuain do të dënohej vetëm një ose gjysmë ndeshjeje”, tha ai.
Maradona ka diçka edhe për Antonio Conten, trajnerin e ardhshëm të Chelseat. “Historia e Contes më duket një turp. Eshtë e shëmtuar që trajneri i kombëtares italiane, që ka një prestigj të pabesueshëm në tërë botën, shkon e firmos me Chelsean”, përfundoi Maradona.