KLSH: Dëmi i shkaktuar nga tatimet e doganat, rritje me 14 herë më shumë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar në Kuvend për një trend në rritje të dëmit ekonomik në sektorin e fiskut, sidomos tatime dhe dogana.
“Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e tatimeve dhe doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013”, referon KLSH në materialin për Kuvendin.
Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e tatimeve dhe doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
Gjithashtu rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë.
Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Verifikimi i të njëjtit trend lidhur me dëmin në sektorin energjetik, tregon se ky sektor mbetet si sektor me risk dhe adreson domosdoshmërinë e një vëmendje të madhe mbi këto sektorë nevralgjik të ekonomisë. Për vitin 2014, dëmi në këtë sektor ishte në nivelin 79% të totalit të dëmit total të konstatuar, ndërsa në vitin 2013 po në këtë sektor dëmi ishte në rreth 92% të totalit të dëmit të konstatuar.
Pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit një shkresë, ku i sqaron se buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar. Buletini i katërt statistikor i vitit 2015 përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti.
Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori, për auditimet e përfunduara. Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.91 milionë euro), si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro). Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 917.9 2 milionë euro), KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në shumën 58,703,079 mijë lekë (ose 428.4 milionë euro).
Nga verifikimi i zbatimit të këtij rekomandimi nga subjektet e audituara janë pranuar dhe kanë nisur procedurat ligjore për kërkimin e shpërblimit të dëmit në vlerën 37,743,113 mijë lekë (ose 275.4 milionë euro) dhe është duke u konsideruar sipas afateve ligjore për t’u zbatuar shpërblimi i dëmit në vlerën 19,780,820 mijë lekë (ose 144.3 milionë euro). Përsa i përket diferencës së dëmit ekonomik në vlerën 67,060,000 mijë lekë, shkaktuar nga Marrëveshja e Zgjidhjes me Mirëkuptim (“Settlement Agreement ose “Marrëveshja e Mirëkuptimit”) midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë “CEZ” a.s. Çeki, KLSH i ka rekomanduar Kuvendit të Shqipërisë “ngritjen e një komisioni ad hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s., si dhe do të përcaktonin mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të Operatorit të Shpërndarjes mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve për periudhën e tanishme, duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale për të gjithë aktorët që lejuan këtë situatë, me të cilën financave publike u shtohet një dëm me efekte në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.

123 milionë euro vjedhje nga tatimet e doganat

(Shkeljet me dëm ekonomik tek tatim taksat 92 milionë euro sipas raportit të KLSH për 2015)
– Ministria e Energjisë dhe Industrisë (koncesionet hidrokarburet), AKBN, në vlerën totale 11,503,500 mijë lekë, nga të cilat 316,000 mijë lekë, shmangie nga skema e TVSH, duke konsideruar në mënyrë të parregullt e të paargumentuar punime dhe shërbime të nënkontraktorëve si operacione hidrokarbure dhe 11,187,500 mijë lekë evazion fiskal nga mosdeklarimi i prodhimit të shtuar të naftës bruto pas përdorimit të holluesit (diesel 1 000 ppm) në shtresë.
– Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave, Tiranë, në vlerën totale 72,103 mijë lekë, është vlera e përfituar në mënyrë të padrejtë si rimbursim nga dy kompani farmaceutike, si pasojë e diferencës midis çmimit/njësi të referencës nga lista e çmimeve për barnat e rimbursueshme dhe çmimit/njësi që duhej të tregtohej në fakt një medikament i caktuar.
(Në sektorin e doganave vlera e dëmit 31 milionë euro)
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe degët doganore, Durrës, Fier, Vlorë, Kakavijë, Qafë-Thanë e Bllatë (renta minerare), në vlerën totale prej 3,337,003 mijë lekësh, si detyrime doganore të papaguara, nga mosllogaritja dhe mosarkëtimi i rentës minerare për mineralet e eksportuara.
– Degët e doganave Lezhë dhe Shkodër, në vlerat respektive 13,130 mijë lekë dhe 24,165 mijë lekë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve të ndryshëm dhe si detyrime e penalitete të pavendosura ndaj subjekteve që nuk kanë paguar TVSH.
– Dega e Doganës Tiranë, në vlerën 130,438 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Dega e Doganës Durrës, në vlerën 143 075 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Tiranë, në vlerën 152,405 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjs së detyrimeve doganore dhe nga shkeljet e parregullta.
– Dega e Doganës Korçë, në vlerën 274,321 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes së penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.
– Dega e Doganës Kapshticë, në vlerën 125,349 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes e penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.