Futbolli është kthyer në biznes

Sot futbolli nuk është vetëm sporti më i dashur në Botë, por është edhe një biznes ku investohen shuma marramendëse parash, ku ata që përfitojnë më shumë janë normalisht protagonistët e fushës së blertë pikërisht futbollistët. Në kampionatet më të rëndësishme europiane, shuma të tillë si 2, 3 apo 4 milionë euro pagë vjetore janë mëse normale, madje ka edhe nga ata futbollistë që përfitojnë edhe 5 herë më shumë se kaq. Një lojtar që paguhet shumë mirë është edhe mesfushori spanjoll i Manchester United, Juan Mata, i cili në vitin 2014 u transferua nga Chelsea te Manchester United për më shumë se 45 milionë euro. Por ky futboll me kaq shumë para në mes nuk i pëlqen 27-vjeçarit, i cili në një intervistë theksoi se do të ishte i gatshëm të paguhej më pak, vetëm e vetëm që futbolli të ishte më pak biznes.
“Në krahasim me shoqëri të ndryshme apo kompani në fusha të tjera, unë përfitoj një thes me para, diçka irreale kjo në këtë kontekst, por normale me shumat që derdhen sot në futboll. Kur luan në nivelet më të larta, futbolli është një sport që të shpërblen shumë mirë. Megjithatë për mendimin tim futbolli është kthyer në një biznes dhe kjo gjë nuk më pëlqen, pasi kështu ky sport po e humbet disi bukurinë. Mua më pëlqen kjo lojë, më pëlqen të stërvitem, por edhe të rivalizoj. Jam i gatshëm të përfitoj më pak para që futbolli të jetë më pak biznes”, u shpreh Mata.
Juan Mata është duke luajtur sezonin e tij të tretë në radhët e Manchester United, klub me të cilin numëron 93 paraqitje dhe 24 gola të shënuar.