Atletiko e pathyeshme

Bajerni dhe Atletiko Madrid ritakohen pas një kohe shumë të gjatë, 42-vjeçare. Por, kujtimet dhe nostalgjia e sjell shumë afër vitin 1974 kur në finalen e Brukselit më 15 dhe 17 maj Bajerni triumfoi 5-1 kundër Atletikos, duke fituar kupën e parë të kampioneve.
Atletiko arrin për herë të dytë në gjysmëfinale në tri vitet e fundit dhe qëndron për herë të 5-të në këtë fazë gjatë historisë së saj. Bilanci është: dy fitore, dy humbje. Spanjollët nuk kanë humbur kurrë në gjysmëfinale në ndeshjet brenda fushe. Në katër takime, ata kanë fituar 3 dhe barazuar 1.
– Ekipi i Simeones ka humbur vetëm një nga shtatë duelet e fundit kundër ekipeve gjermane. Bilanci në “Kalderon” është: 11 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Miqtë e fundit nga Gjermania kanë qenë “Aspirinat” sezonin e kaluar. Atletiko fitoi 1-0.
– Këtë sezon spanjollët kanë humbur vetëm një herë në shtëpi (1-2 ndaj Benfikës), si dhe ka fituar 24 nga 29 ndeshjet e Kupave të Europës në “Kalderon”.
– Bajerni kualifikohet për herë të pestë radhazi në gjysmëfinale, nga të cilat tri herë ka shkuar në finale (2010, 2012, 2013).
– Në dy vitet e fundit bavarezët i kanë humbur dy transfertat në Spanjë në gjysmëfinale (0-1 në Madrid; 0-3 në Barcelonë). Në 12 transfertat e fundit në Spanjë ka arritur të fitojë 2 dhe humbur 8. Bilanci në tokë spanjolle është: 6 fitore, 5 barazime dhe 12 humbje. Dy transfertat e fundit në Champions Bajerni i mbylli në barazim 2-2 në Torino dhe Lisbonë.
– Bajerni i Guardiolës ka mundur të fitojë vetëm dy nga nëntë transfertat e fundit në Champions, si dhe ka humbur 4. Ndërsa në fazën me eliminim direkt (nga 1/8-at), Bajerni ka mundur të fitojë vetëm 1 nga 7 transfertat e fundit (4 barazime, 3 humbje).
– Është hera e 10-të që Bajerni përballet në gjysmëfinale kundër një ekipi spanjoll. Bilanci është: 7 fitore, 3 humbje.
Portieri më i mirë në botë, Manuel Nojer, ndihet krenar që zgjodhi të braktisë Shalken për të arritur suksese të mëdha. Gjatë një interviste për “Kicker”, gardiani i Bajernit kritikon fansat e Shalkes, vlerëson rekordmenët, si dhe kërcënon Atletiko Madridin. “Në pesë vite me Bajernin kam arritur gjithçka. Këtë sukses nuk do ta kisha parë në ëndërr po të isha te Shalke. Vërshëllimat e tifozëve në atë kohë e kanë marrë përgjigjen. Qëllimi im i ardhshëm është të përmbush kontratën dhe, më pas, do vendos në varësi të gjendjes shëndetësore”, u shpreh Nojer për të ardhmen, duke shtuar për ndeshjen ndaj Atletikos ditën e mërkurë. “Ne e kemi mësuar nga trajneri si të luajmë përballë një ekipi të fortifikuar në mbrojtje apo në një stadium si ‘Kalderon’. Do të jemi të përgatitur për çdo detaj. Është gjysmëfinalja ime e gjashtë radhazi në Champions dhe kjo tregon se kam eksperiencën e duhur për të shkuar të paktën në finale”, deklaroi Nojer.