Thohir: Nuk e shes shumicën e aksioneve

Vazhdojnë bisedimet mes presidentit të Interit, Eric Thohir dhe drejtuesve të Sunnig Comerce Group, për shitjen e 20% të aksioneve të klubit zikaltër. Pas vizitës që delagacioni kinez bëri të shtunën në Milano, ndërsa këta të fundit ishin të pranishëm edhe në “Appiano Gentile”, por edhe në “San Siro” për të ndjekur ndeshjen Inter-Udinese, gjithçka lë të kuptohet se bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar. Shefi ekzekutiv i Interit, Bolingbroke, po punon për të arritur akordin me Sunnig Comerce Group. Me afrimin në klub edhe pse me një kuotë minorance të investitorëve kinezë, Interi mund të hedhë pas shpatullave shumë nga problemet financiare.
Flitet se Sunnig Comerce Group do të derdhë në arkat e Erick Thohir shumën e 60 milionë eurove për të blerë 20% të aksioneve të Interit dhe pasi do të hyje në klub me një kuotë minorance me kalimin e viteve do të tentojë të marrë mazhorancën e klubit zikaltër, ashtu siç është përmendur shpesh në media gjatë ditëve të fundit. Gjithsesi për të hedhur poshtë këto zëra ka menduar vetë presidenti Eric Thohir, i cili në një intervistë theksoi se nuk ka ndërmend të shesë të gjithë paketën e aksioneve që zotëron në klubin zikaltër dhe nuk po mendon të blejë një klub anglez.