Sammer trondit Bayernin

Mathias Sammer trondit ambientin te Bayerni i Mynihut. Drejtori sportiv i bavarezëve ka shfaqur probleme serioze me shëndetin, por fatmirësisht gjendja e tij është në përmirësim e sipër. 48-vjeçari është prekur nga një çrregullim i qarkullimit të gjakut në tru, e për rrjedhojë nuk ka qenë i pranishëm në dy ndeshjet e fundit të kampionëve të Bundesligës.
Mjeku i Bayernit, Roland Schmidt është munduar t’i qetësojë tifozët e Bayernit, duke deklaruar se Sammer do të shërohet shumë shpejt dhe ky problem në tru nuk do t’i lërë asnjë pasojë. Ndërsa vetë Sammer është shprehur se pas një periudhë kohe që do t’i nevojitet për ta kaluar këtë situatë do të kthehet shumë shpejt në detyrë.
Diagnoza për ish-futbollistin e kombëtares gjermane është mpiksja e gjakut në tru që në gjuhën mjekësore quhet ishemi, e cila shkakton probleme në të folur dhe paralizë të pjesshme. Por për fat të mirë, pas një kohë të caktuar gjithçka kthehet si më parë.