Prova e Phenianit, “dështim i suksesshëm”

Korea e Veriut ka deklaruar se realizoi me sukses të plotë hedhjen e një rakete balistike nga një nëndetëse dje. Tentativa u komentua si “dështim” nga Korea e Jugut. Analistët ushtarakë e kanë cilësuar provën si një “dështim i suksesshëm”.
Deklaratat e Koresë së Veriut përmes agjencisë së lajmeve KCNA se tani zotëron mjete të reja për të kryer “një sulm të fuqishëm bërthamor” duken të ekzagjeruara, duke marrë parasysh kapacitetin aktual të aftësive bërthamore të Koresë së Veriut.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Koresë së Jugut dha një vlerësim negativ të provës dje. Sipas tij, raketa përshkoi një distancë 30 km para se të binte në det, pra larg realizimit të distancës prej 300 kilometrash për raketat me rreze të mesme veprimi. Po sipas qeverisë jug-koreane, motori i raketës pati defekt pak para lëshimit.
Sipas ekspertëve, Korea e Veriut mund të jetë në fazat e hershme të zhvillimit të aftësive për lëshimin e raketave nga nëndetëse. Deri tani ka bërë tre prova për hedhjen e raketave, të tria herët mendohet se përpjekjet kanë dështuar, megjithëse Pheniani i ka deklaruar të suksesshme dhe, sipas analistëve, ka modifikuar videot për t’i bërë të duken të suksesshme.