Neymar te United

Shumë gjëra po lëvizin në prapaskenë te Barcelona dhe padyshim që duke parë edhe rikonstruksionin e stadiumit, i cili do të kërkojë investimin e 600 milionë eurove, në klubin katalanas mund të ketë një të sakrifikuar. Emri që po përmendet është ai i sulmuesit Nejmar, me tabloidin anglez “The Sun”, i cili siguron vërtetësinë e lajmit. Edhe pse media spanjolle këmbëngul se, drejtuesit e Barcelonës dhe ylli brazilian po bisedojnë rinovimin, nuk është çudi që Nejmar të bëjë gati valixhet dhe të transferohet në Angli, te Mançester Junajtid.
Që “Djajtë e kuq” janë të interesuar për të, këtë e konfirmoi edhe babai i Nejmarit, i cili foli edhe për një ofertë 185 milionë eurosh dhe madje Junajtid është gati që ta ripropozojë. Dhe në të tilla shifra edhe Barcelona, e cila duhet që të ruajë bilancin e saj financiar, mund të tundohet, pasi në Katalunjë duket se e kanë në dorë edhe zëvendësuesin.
Emri i tij nuk përbën gjithashtu një surprizë. Ai është Paulo Dibala i Juventusit, sulmuesi 22-vjeçar, i cili është shndërruar në liderin e skuadrës bardhezi, që në vitin e tij të parë në Torino. “The Sun” siguron se, vetë Barcelona i ka nisur kontaktet me Dibalën dhe drejtuesit e kampionëve të Italisë, por fillimisht kërkon që të bëjë të sajin talentin e ri argjentinas dhe më pas t’i hapë rrugë largimit dhe transferimit të Nejmarit te Mançester Junajtid.
Ksavi Hernandez – Në lidhje me këtë temë, pra largimin e Nejmarit dhe zëvendësimin e tij të mundshëm me Dibalën, e bekon edhe ish-kapiteni i Barcelonës, Ksavi Hernandez, nga Katari i largët, ku aktualisht luan për skuadrën e Al-Sad.
“Nuk e di nëse Nejmar do të largohet, por nuk do të ishte një çudi. Në futbollin e sotëm asgjë nuk është më e sigurt, duke parë shifrat që qarkullojnë. Dibala i denjë për Barçën? Kam dëgjuar shumë emra që përfliten se janë në listën e ish-skuadrës sime dhe nëse doni mendimin tim, të vetmit që shoh të denjë për të luajtur me fanellën katalanase janë pikërisht Paulo Dibala dhe Marko Verrati.
Me cilësitë që kanë mund të ambientohen shpejt me ideologjinë e lojës së Barçës. Po Pogba? Pol është një lojtar madhështor, vuajta shumë kundër tij në finalen e Champions-it, por sipas meje ai ka një tjetër stil loje nga ai i Barcelonës. Unë nuk po i bëj antireklamë, përkundrazi është madhështor, por kam frikë se nuk do të ambientohej”.