Me Ramën, Shqipëria objekt talljeje në Britani

Marcus TANNER

Shqipëria u përfshi në referendumin për të qëndruar apo për të dalë nga BE-ja të Mbretërisë së Bashkuar pasi një lider i fushatës “Të dalim” tha se Britania mund të bëhej një skuadër me Serbinë, Bosnjen dhe Shqipërinë në një zonë të tregtisë së lirë me të dalë nga BE-ja.
Ideologu kryesor i Konservatorëve dhe ministri britanik i Drejtësisë, Micahel Gove ka tërhequr përçmim për deklaratën e bërë dy ditë më parë, ku ekspertët dhe kundërshtarët e tij, pro Europë nxituan ta quanin referencën e Shqipërisë së varfër një gabim taktik.
Duke shkruar për “Financial Times”, Gideon Rachman tha se sugjerimet se Shqipëria mund të jetë një model i përshtatshëm biznesi për një Britani pas daljes ishin “një gafë e rrezikshme”.
“Opsioni shqiptar është marrë me shaka nga fushata ‘Të qëndrojmë’ dhe për arsye të kuptueshme”, shkroi ai.
“Së pari, tingëllon shumë jotërheqëse – nuk ka shumë njerëz që do të ndryshonin një pasaportë britanike për një dokument shqiptar. Së dyti, është qesharake”, tha ai.
“Gabimi i Gove ishte të jepte emrat e vendeve me të cilat Britania mund të bashkëpunonte. Përveç Shqipërisë, ai përmendi gjithashtu Serbinë, Bosnjen dhe Ukrainën – asnjë nga këto vende nuk është shembulli ideal për paqen dhe begatinë”, shtoi ai.
“Nga ana politike, sugjerimi për të dalë nga BE-ja dhe bashkimi me Ballkanin është qartazi një propozim absurd. Mund të presësh të dëgjosh më shumë rreth Shqipërisë gjatë pjesës tjetër të fushatës së referendumit”, përfundoi ai.
Ndërsa “gafa shqiptare” e Gove ka tërhequr tallje, askush nuk dyshon se ministri i Drejtësisë – me sensin e tij të historisë – është një aktivist perfekt i largimit të Britanisë nga BE-ja, që ai e quan një perandori jodemokratike.
Në fjalimin e tij të hënën, ai e krahasoi bllokun me 27 anëtarë me “Austro-Hungarinë nën sundimin e habsburgëve, perandorinë ruse nën Nikolasin e Dytë, Romën nën perandorët e fundit apo Perandorinë Osmane në vitet e fundit”.
“Është një zonë e lirë tregtare që shtrihet nga Islanda në Turqi ku të gjithë shtetet europiane kanë akses, pavarësisht nëse janë apo jo në euro apo BE. Pasi të votojmë për t’u larguar ne do të mbetemi në këtë zonë… Rënia dakord për të ruajtur këtë zonë të tregtisë së lirë është një kurs i thjeshtë dhe qartazi në interes të të gjithëve”, shtoi ai.
Zyrtarët e qeverisë britanike, megjithatë, theksuan se Shqipëria dhe Serbia, janë në fakt të dëshpëruara për t’iu bashkuar BE-së dhe për t’i lënë marrëveshjet e tyre ekzistuese të tregtisë.
Ata gjithashtu nuk ranë dakord me idenë se liderët europianë do t’u ofronin Mbretërisë së Bashkuar një marrëveshje tregtare sipas dëshirës në rast të një vote “për t’u larguar”.
Sondazhet më të fundit thonë kampi “të qëndrojmë” kryeson me 52 për qind të votuesve, ndërsa skuadra kundër mbështetet nga 43 për qind.